Një shtetase 38‑vjeçare kallëzoi se dy persona e kishin kanosur që t’i jepte 500 euro, në mënyrë që ata të mos publikojnë në rrjete sociale foto dhe video intime të saj. Pas këtij kallëzimi, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Privacy”.
Si rezultat i operacionit, u vu në pranga një 17‑vjeçar, ndërsa bashkëpunëtori i tij, shtetasi E. D., 21 vjeç, u shpall në kërkim. Për kapjen e 21‑vjeçarit vijojnë veprimet e Policisë; nga hetimet ky shtetas dyshohet si autor i vjedhjeve në disa subjekte në Tiranë. Nga aksioni u sekuestruan si provë materiale shuma prej 500 eurosh, që i ishte marrë 38‑vjeçares, dhe dy celularë.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim.

