Sektori i peshkimit në Durrës po përballet me një krizë për shkak të rritjes së çmimit të naftës, e cila lidhet me konfliktin në Lindjen e Mesme. Flota ka reduktuar ndjeshëm aktivitetin dhe dhjetëra mjete janë të ankoruara në port, ndërsa operatorët e zonës ankohen për mungesë reagimi dhe mbështetjeje nga autoritetet. Klodian Kapiti, kreu i sindikatës së peshkimit, thotë se “çmimi i naftës është rritur shumë dhe flota ka hyrë në krizë mjaft të thellë… nuk ka asnjë reagim dhe asnjë mbështetje. Varkat janë të gjitha të bllokuara në port…”.
Pronari i peshkarexheve, Besim Troplini, shpreh se me çmimin e naftës që ka shkuar 110 lekë, aktiviteti bëhet i pashmangshëm i papërballueshëm: “Me 110 leke që ka shkuar nafta ne nuk mund të vazhdojmë punën. Nafta na zë mbi 50% të kostos. Sot jemi jashtë çdo llogarie…”. Si pasojë e kostove të larta, rrezikohet edhe fuqia punëtore: peshkatarët e huaj, kryesisht nga Egjipti, paralajmërojnë largimin pasi nuk mund të mbajnë familjet e tyre. Një peshkatar egjiptian thotë se “Nafta shumë e shtrenjtë, nuk ka punë kështu. Nuk dalim në det. Maksimumi 2-3 ditë ikim në Egjipt”, ndërsa një tjetër shton se “Nuk ka lekë… të gjithë gati për t’u kthyer në Egjipt. Nuk mbaj dot kalamajtë as me bukë, as me çorape. Shteti duhet të ndihmojë.”
Peshkatarët kërkojnë që çmimi i naftës të përfshihet në skemën e transparencës dhe të subvencionohet nga shteti si masë për të përballuar kostot operacionale. Deri tani, bisedimet me Ministrinë e Bujqësisë nuk kanë sjellë zgjidhje konkrete. Në mungesë të reagimit institucional, përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë përshkallëzim të protestave si mënyrë presioni për të kërkuar ndihmë dhe masa mbrojtëse për bizneset dhe punonjësit e peshkimit. Reportazhi vjen nga Top Channel.

