Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian miratoi raportin për Shqipërinë, i përgatitur nga raportuesi Andreas Schieder, me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime, duke e hapur rrugën për shqyrtim në seancë plenare. Raporti vlerëson se objektivi që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim në BE deri në 2027 është i mundur, por thekson nevojën për përparim të drejtëpërdrejtë dhe zbatim efektiv të reformave.
Draft-rezoluta përmend një sërë dokumentesh dhe komunikimesh të BE-së dhe raporteve të ODIHR/OSBE, si dhe Agjendën e Reformave të Shqipërisë brenda Mekanizmit për Reforma dhe Rritje. Teksti nënvizon se zgjerimi mbetet një investim strategjik dhe se besueshmëria e procesit varet nga kushtëzime të rrepta, progresi në bazë të meritave dhe zbatimi efektiv, jo vetëm miratimi formal i ligjeve.
Raportit i referohet faktit që Shqipëria është vend kandidat që nga 2014, nisi negociatat në korrik 2022, përfundoi procesin e “screening”-ut në nëntor 2023 dhe hapi të gjitha grup-kapitujt ndërmjet 15 tetorit 2024 dhe 17 nëntorit 2025. Parlamenti Evropian përshëndet angazhimin politik dhe qytetar të Shqipërisë, ritmin e hapjes së kapitujve brenda 13 muajsh dhe ambicien për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027, por thekson se zbatimi i plotë i legjislacionit është i domosdoshëm.
Në fushën zgjedhore, raporti vëren se kuadri konsiderohet në përgjithësi i përshtatshëm, por shpreh shqetësime për barazinë e kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, akuza për blerje votash dhe presion mbi votuesit, duke kërkuar zbatim të rekomandimeve të OSCE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Evidentohet po ashtu polarizimi politik dhe ndikimi i tij negativ në funksionimin e institucioneve.
Për shtetin e së drejtës, raporti përshëndet reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut, por nënvizon sfida si vonesat dhe përpjekjet për ndikim; kërkon forcimin e organeve të qeverisjes së drejtësisë, hetime dhe dënime më të forta kundër korrupsionit, si dhe përballjen me krimin e organizuar në bashkëpunim me agjenci të BE-së. Raporti kërkon gjithashtu mbrojtjen e lirisë së medias, të drejtave themelore dhe mbrojtjen e minoriteteve, depolitizim të administratës publike, reforma socio-ekonomike, përparim në mjedis dhe përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së. Teksti përfundon duke përshëndetur mbështetjen financiare dhe teknike të BE-së dhe duke ngarkuar Presidentin e Parlamentit Evropian ta përcjellë rezolutën institucioneve përkatëse dhe autoriteteve shqiptare.

