Zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike do të përfundojnë në gjykatë, pas një kërkese të paraqitur nga kandidatura e skualifikuar Mereme Sela. Ajo ka depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkesën për pezullimin e procesit zgjedhor dhe përmasa të tjera ligjore. Sela pretendon se skualifikimi i saj është kryer në shkelje të të drejtave staturore dhe të parimit të barazisë në konkurrim, dhe se organet e partisë kanë lejuar kandidimin e Sali Berishës në kundërshtim me ndalimin e parashikuar në statut.
Në kërkesën e saj ajo kërkon shpalljen e pavlefshme të skualifikimit të saj dhe detyrimin e palës së paditur për rikthimin në garë. Po ashtu kërkon shpalljen e pavlefshme të kandidimit të Sali Berishës dhe pezullimin e zgjedhjeve të datës 23 maj.
Padia citon Nenin 46, pika 8 të Statutit, sipas të cilit: “Në rast se Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati i kryetarit përfundon menjëherë dhe automatikisht. Në këtë rast, atij nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse.” Kjo dispozitë përshkruhet në padinë si normë me karakter imperativ dhe ndalues absolut, pa hapësirë për interpretim alternativ.
Faktet që paraqiten si relevante në padinë e Selës janë: Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka rezultuar forcë fituese në zgjedhjet parlamentare 2025; rezultati është i formës së prerë; mandati i kryetarit ka përfunduar ipso jure; dhe ndalimi i rikandidimit është automatik. Duke u nisur nga këto, padia konkludon se kandidimi i Sali Berishës është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me statutin, i pavlefshëm me nulitet absolut dhe një akt që cenon integritetin e procesit zgjedhor.
Sela poho t se standardi i dyfishtë—përjashtimi i saj dhe lejimi i një kandidimi të ndaluar—tregon shkelje të parimit të barazisë, të sigurisë juridike dhe të demokracisë së brendshme partiake. Lajmi është raportuar nga Top Channel.

