Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në Danimarkë, ku u diskutuan sfidat e sigurisë së kontinentit dhe zgjerimi i BE-së. Gjatë sesionit të parë me temën “Europa në një rend botëror që ndryshon: Siguria, zgjerimi dhe roli i parlamenteve”, Peleshi prezantoi qëndrimet e Shqipërisë mbi zhvillimet gjeopolitike, perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe rolin e parlamenteve në këtë proces.
Ai theksoi se Europa ndodhet në një moment kritik përballë sfidave si rivaliteti strategjik, kërcënimet hibride, presionet ekonomike dhe konfliktet që ndikojnë drejtpërdrejt sigurinë e kontinentit. Duke iu referuar agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, Peleshi vuri në dukje se pasiguria nuk mbetet e izoluar, por përhapet përtej kufijve.
Peleshi e konsideroi zgjerimin e BE-së si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe si një instrument për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë. Ai paralajmëroi se lënia e Ballkanit Perëndimor jashtë strukturave europiane krijon hapësira për ndikime të jashtme dhe pasiguri, ndërsa një Europë e bashkuar është më e fortë dhe më rezistente. Sipas tij, një perspektivë e qartë dhe e besueshme për vendet e rajonit shërben si nxitje për reforma dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Kryetari i Kuvendit vuri në pah potencialin që Ballkani Perëndimor sjell për BE-në, përfshirë fuqinë punëtore të re, pozicionin strategjik dhe burimet energjetike. Procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, por të shoqërohet me vullnet të fortë politik nga shtetet anëtare dhe institucionet europiane, pasi vonesat e pajustifikuara dobësojnë ndikimin e BE-së në rajon.
Peleshi theksoi gjithashtu rolin kyç të parlamenteve në miratimin e reformave, mbikëqyrjen e qeverive dhe përfaqësimin e qytetarëve, duke bërë thirrje për forcim të bashkëpunimit ndërparlamentar, rritje të angazhimit politik për zgjerimin dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve. Për Shqipërinë ai nënvizoi përparimin e dukshëm dhe përkushtimin ndaj rrugës europiane, mbështetjen e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe kontributin në misionet ndërkombëtare dhe NATO. Peleshi shprehu shpresën që konferenca të përshpejtojë procesin e zgjerimit, duke renditur Shqipërinë dhe Malin e Zi ndër vendet pararendëse së bashku me aspirantët si Moldavia dhe Ukraina. Konferenca është platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe koordinimin e qëndrimeve për sfidat e Evropës dhe zgjerimin e BE-së.

