Kryeministri Edi Rama, në shënimet e tij javore në podcastin “Flasim”, dha detaje për marrëveshjen e sapo nënshkruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror dhe zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës (TEC). Rama e përshkroi marrëveshjen si një hap drejt pavarësisë energjetike të Shqipërisë, duke nënvizuar se vendi do të furnizohet me gaz amerikan për një periudhë 20-vjeçare.
Ai sqaroi se TEC-i i Vlorës, i ndërtuar më parë për të punuar me naftë, do të transformohet për të punuar me gaz, pasi të realizohen investimet e nevojshme dhe plotësimet infrastrukturore. Nëpërmjet këtij transformimi, Shqipëria do të prodhojë energji elektrike nga gazi i lëngshëm të importuar, duke krijuar një bazë më të qëndrueshme dhe të diversifikuar për portofolin e sovranitetit energjetik të vendit.
Rama tha se përveç furnizimit me energji, marrëveshja do të rrisë ndjeshëm volumin e investimeve të reja në vend. Ai theksoi se kapaciteti i shtuar do të lejojë Shqipërinë të furnizojë me energji qendrat kompjuterike të të dhënave dhe programet e inteligjencës artificiale, sektorë që sipas tij do të përcaktojnë dekadën e ardhshme.
Në fjalën e tij, kryeministri përmendi se Vlora do të kthehet në një nyje të rëndësishme, si për shfrytëzimin, ashtu edhe për eksportin e gazit. Si pjesë të marrëveshjes është parashikuar edhe investimi për lidhjen me tubacion midis Vlorës dhe Fieri, ku ndodhet operatori i gazsjellësit Transadriatik (TAP), çka mundëson lidhje me rrjetet ekzistuese të eksporteve.
Rama e përshkroi marrëveshjen si një bashkëpunim strategjik për zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe furnizimin me gaz të lëngshëm, duke theksuar rëndësinë e investimeve për transformimin e TEC-it dhe për krijimin e një burimi të qëndrueshëm energjie për vendin. Top Channel.

