Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zhvilloi një aksion të befasishëm në burgun e Durrësit, me qëllim goditjen e sendeve të ndaluara brenda institucionit. Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u ndërmor pas informacioneve të siguruara nga strukturat operative dhe pas analizës së riskut, ndërsa kontrolli u realizua në orët e para të mëngjesit.
Gjatë ndërhyrjes u ushtruan kontrolle të imtësishme si në ambientet e brendshme, ashtu edhe në ato të jashtme të institucionit. Autoritetet bënë të ditur se gjatë kontrollit u sekuestruan tre celularë të tipit “iPhone”, të ndezur dhe funksionalë. Njëri prej telefonave u gjet në posedim të një të paraburgosuri me inicialet B.G., ndërsa dy të tjerët, së bashku me një palë kufje “bluetooth”, u konstatuan në ambientet e institucionit pa autor të identifikuar.
Menjëherë pas konstatimeve, të paraburgosurit i është bërë veçimi, është hartuar raporti i incidentit dhe është mbajtur procesverbali për bllokimin e sendeve të ndaluara. Materialet e përfunduara nga kontrolli i janë referuar Specialistit të SHKB për vijimin e veprimeve hetimore, sipas procedurave të përcaktuara.
Drejtoria e Burgjeve nënvizon se aksioni në Durrës është pjesë e masave të shtuara për garantimin e sigurisë në institucionet penitenciare. Në njoftim theksohet gjithashtu se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha IEVP-të në rang vendi dhe se do të zbatohet politika e zero tolerancës ndaj shkeljeve që lidhen me hyrjen dhe posedimin e sendeve të ndaluara brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit.
Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve raportohet nga Top Channel.















