Socialisti Erion Braçe, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, foli për përplasjet brenda Partisë Socialiste lidhur me Elisa Spiropalin dhe situatën e brendshme në parti. Braçe tha se brenda PS ka persona që kanë marrë pozicione që nuk i meritojnë dhe se ka shumë socialistë të thjeshtë, në etapa të ndryshme, që kanë pritur nga partia dhe nuk kanë marrë atë që meritonin. Ai theksoi gjithashtu: “PS ja ka investuar tek ne jo ne tek PS-ja”, duke reaguar ndaj diskutimit se kryeministri mund t’i ketë thënë Spiropalit: “PS-ja dhe unë jemi investuar tek ti, ti nuk do të flasësh më”.
Gjatë bisedës, Braçe shprehu se nuk preferon të flasë për emra dhe se nuk dëshiron të bëjë gjykimin e kontributeve brenda PS: “Unë flas për veten, nuk preferoj të flas për emra.” Kur u pyet nëse ka pasur njerëz që kanë marrë më shumë se çfarë kanë merituar, ai pranoi se “patjetër që ka plot”. Për pyetjen specifike nëse Spiropali është një rast i tillë, Braçe përgjigj se nuk është ai që të bëjë gjykatën e kontributeve dhe se beson se është partia që përmes proceseve demokratike duhet t’u japë njerëzve atë që meritojnë.
Braçe shtoi se nuk preferon të flasë për “gjërat e shtëpisë” jashtë partisë, duke theksuar parimin që çështjet e brendshme të qëndrojnë brenda. Megjithatë, ai pranoi se zonja Spiropali ka ngritur disa shqetësime që, sipas tij, qëndrojnë edhe për të tjerë, përfshirë vetë kryeministrin dhe veten. Braçe tha se kur flitet për nevojën për të “rienergjizuar PS”, për ta hapur dhe bërë më demokratike, ka pranuar se ekziston një seri problemesh që duhen kuruar.
Emisioni solli diskutimin mes Sidorela Gjonit dhe Braçes mbi zërat dhe përplasjet brenda PS, ku Braçe kërkoi të shmangë komentet personale dhe të nënvizojë nevojën për procese demokratike dhe reforma të brendshme për t’i dhënë zgjidhje problemeve të identifikuara. Top Channel.















