Athina përballet me një dilemë mes rritjes rekord të turizmit dhe mbrojtjes së jetës së përditshme të banorëve. Rajoni i Atikës ka mbi 68 mijë shtretër hotelerie, ndërsa rreth 35 mijë ndodhen në qendër të kryeqytetit, veçanërisht në lagjet Plaka, Monastiraki, Syntagma dhe Koukaki. Përveç hotelerisë, shtëpitë e regjistruara në platforma qiraje afatshkurtra vazhdojnë të rriten: aktualisht ka mbi 12 mijë prona aktive në Airbnb, me një rritje rreth 11% vetëm gjatë vitit të fundit.
Kryebashkiaku i Athinës, Haris Doukas, paralajmëron për rreziqet e hiperturizmit dhe ngre çështjen e kufizimit të hotelerisë së re në zonat e mbingarkuara, duke theksuar se Athina nuk duhet të bëhet si Barcelona. Në nivel kombëtar, turizmi në Greqi thyen rekorde çdo vit: vitin e kaluar regjistrohen 43,3 milionë mbërritje, mbi 3,4 milionë më shumë se një vit më parë, dhe të ardhurat vjetore nga turizmi u rritën me 9,4%, duke arritur 23,6 miliardë euro. Sektori kontribuon përafërsisht me 21% në ekonominë e vendit.
Megjithatë, kjo rritje sjell kosto sociale. Qiratë vetëm gjatë vitit të kaluar u rritën mbi 10%, ndërsa që nga viti 2017 është shënuar një rritje prej 87%. Si pasojë, shumë banorë detyrohen të largohen nga qendra për shkak të mungesës së banesave dhe presionit të turizmit. Prej vitit 2024, qiraja mesatare për një apartament me dy dhoma gjumi në Athinë përbënte 93,6% të pagës mesatare mujore, një nivel dy herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Debati ka kaluar në fushën politike, ku përplasen pozicionet e kryebashkiakut dhe ministres së Turizmit. Njëra qasje kërkon frenim të zhvillimit dhe vendosjen e kufizimeve dhe rregullave më të forta për të mbrojtur qytetin dhe banorët; tjetra thekson nevojën për ruajtjen e imazhit dhe dinamikës turistike të kryeqytetit si destinacion ndërkombëtar. Ndërsa Athina mbetet ndër qytetet më të vizituara në Europë, pyetja bëhet gjithnjë e më urgjente: çfarë duhet të ketë përparësi – rritja ekonomike nga turizmi, apo e drejta e banorëve për një qytet të jetueshëm.















