Klodjan Braho, kreu i SPAK, po raporton para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për punën e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2025. Ai përshkroi si shqetësues korrupsionin, duke dhënë shifra mbi rastet dhe zhvillimet e hetimeve: “Nga 186 në 220 çështje për korrupsion. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, gjysma janë dërguar në gjykatë dhe 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë.” Për hetimin financiar, SPAK ka aktualisht 12 hetues dhe pritet shtimi i 4 të tjerëve.
Braho raportoi se SPAK rriti ndjeshëm nivelin e hetimeve dhe efektivitetin, me 871 procedime penale të kryera gjatë vitit. Ai njoftoi gjithashtu se ka 18 çështje të reja dhe 6 procedime për zyrtarë të lartë, ndërkohë që janë bllokuar mbi 24 milionë euro. Referimet nga institucionet publike janë rritur: Policia ka referuar 70% më shumë raste dhe administrata 15% më shumë, sipas Brahos, duke shënuar një rritje të identifikimit të çështjeve që i drejtohen SPAK.
Në raportim u trajtua edhe çështja e provave dhe masa hetimore. Braho theksoi se celularët janë prova më e shpeshtë, duke përmendur nevojën për një rregullim juridik në lidhje me sekuestrimin dhe hetimin e tyre: “Telefonat celularë janë provat më të shpeshta, sepse janë aparatet më të përdorura.” Anëtarët e KLP vunë në dukje rëndësinë e këtij aspekti procedurial.
Për statusin e prokurorëve dhe mandatet që po mbarojnë, Braho tha se zëvendësimet nuk po ulin ritmin e punës, por pritet të ndikojnë në cilësinë e hetimeve. Ai përmendi ekzistencën e një komisioni që mbikëqyr strategjinë e çështjeve të mbartura dhe theksoi që struktura është e plotësuar, një ndryshim pozitiv që nuk ishte i tillë deri në 2023.
Sa i përket ndikimeve politike, Braho njoftoi se deri tani nuk ka shenja presionesh nga retorika politike, por paralajmëroi se SPAK do të reagojë nëse draftet ose projektligjet prekin kompetencat e tij. Gjithashtu kërkoi rishikimin e pragut të vlerës për veprat e korrupsionit, duke propozuar rritjen e fushës prej 50 mijë lekësh për të ulur numrin e çështjeve që i përfshihen institucionit.















