Personi i armatosur që hapi zjarr gjatë darkës së ish-presidentit Trump me gazetarët, Cole Allen, dyshohet se u kishte dërguar anëtarëve të familjes një letër me përmbajtje kërcënuese rreth 10 minuta para se të vepronte. Në dokument, Allen përfaqësohej si “Vrasësi Federal Miqësor” dhe shprehte synimin për të sulmuar zyrtarë të administratës Trump, duke i renditur si objektiva sipas prioritetit. Një zyrtar amerikan tha se dokumenti ishte dërguar rreth 10 minuta para të shtënave.
Në letër, ai përshkruante ndjenjën që pati duke hyrë në hotel, duke shkruar se vuri re arrogancën dhe se hyri me disa armë me vete pa ngjallur dyshime. Allen përdorte gjuhë të ashpër dhe akuza ndaj presidentit, duke pretenduar se veprimet e tij kishin motive ideologjike dhe politike. Ai iu referua disa herë besimit të tij të krishterë dhe e justifikonte veprimin si reagim ndaj padrejtësive të perceptuara.
Dokumenti përmbante edhe detaje mbi mënyrën e përdorimit të armëve: Allen pretendonte se synonte të minimizonte viktimat, megjithëse pranonte se ishte i gatshëm të shkaktonte dëme më të mëdha për të arritur objektivat e tij. Në letër ai shprehu mendimin se të mos veprosh kundër shtypjes është bashkëfajësi, duke shkruar, ndër të tjera: “Të kthesh faqen tjetër është kur vetë je i shtypur. Unë nuk jam personi i përdhunuar në një kamp paraburgimi. Nuk jam peshkatari i ekzekutuar pa gjyq. Nuk jam një nxënës shkolle i hedhur në erë, apo një fëmijë i uritur. Të kthesh faqen tjetër kur ‘dikush tjetër’ është i shtypur nuk është sjellje e krishterë, është bashkëfajësi në krimet e shtypësit.”
Ai përmendi gjithashtu çështje politike, përfshirë politikat ndaj emigracionit dhe operacionet kundër trafikut të drogës. Sipas autoriteteve, dokumenti u dorëzua në polici nga një i afërm i tij. Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, deklaroi se hetuesit besojnë Allen kishte udhëtuar me tren nga Los Angeles drejt Uashingtonit, përmes Çikagos, ndoshta për të shmangur kontrollet më të rrepta të udhëtimeve ajrore.















