Detaje rreth të dyshuarit që hapi zjarr jashtë sallës ku u mbajt Darka e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë kanë dalë gradualmente. Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe autoritetet thanë se asnjë nga të pranishmit nuk u plagos rëndë. Një agjent i Shërbimit Sekret u qëllua nga të paktën një plumb, por ishte i mbrojtur nga një jelek antiplumb dhe raportohet jashtë rrezikut.
I dyshuari u arrestua në vendngjarje dhe, sipas CBS News që citon burime të zbatimit të ligjit, identifikohet si 31-vjeçari Cole Allen nga Torrance, Kaliforni. Zyrtarët nuk kanë dhënë informacione zyrtare mbi motivin, por dy burime thanë për CBS se pas arrestimit ai u shpreh se donte të qëllonte zyrtarët e administratës Trump.
Gjatë incidentit u qëlluan të paktën pesë deri në tetë plumba, sipas raportimeve. Jeff Carroll, shefi i përkohshëm i Departamentit të Policisë Metropolitane të DC, në një konferencë për shtyp tha se i dyshuari ishte i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika kur u përpoq të sulmonte një pikë kontrolli sigurie jashtë darkës në hotelin Washington Hilton. Carroll tha gjithashtu se i dyshuari ishte mysafir i hotelit, por nuk dha detaje mbi kohën e regjistrimit apo përmbajtjen e gjetur gjatë kontrollit të dhomës së tij.
I dyshuari nuk u plagos nga të shtënat e forcave të sigurisë, por u dërgua në spital për vlerësim. Carroll përmendi se, në këtë fazë, duket se bëhet fjalë për një aktor të vetëm, një person i armatosur i vetëm, dhe se hetimi po vazhdon. Autoritetet vijojnë hetimet për rrethanat e incidentit, përfshirë shkakun dhe çdo informacion shtesë që mund të sqarohet nga hetimet në vendngjarje dhe nga provat e sekuestruara. Top Channel.















