Shtëpia e Bardhë ka bërë publik programin zyrtar të vizitës së Mbretit Charles dhe Mbretëreshës Camilla në Uashington, të organizuar në kuadrin e festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Mbërritja e çiftit mbretëror pritet pasditen e së hënës, më 27 prill, ku do të mirëpriten nga Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë. Programi i parë përfshin një çaj në Dhomën e Gjelbër dhe më pas një vizitë te kosheren e re të bletëve, e vendosur në Lëndinën Jugore pranë kopshtit me perime të Shtëpisë së Bardhë.
Të martën, më 28 prill, do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mbërritjes, rikthim i një tradite që daton nga shekulli i 18-të. Ceremonia do të përfshijë nderime ushtarake, interpretimin e himneve kombëtare të të dy vendeve nga Banda e Marinës “The President’s Own” dhe një përshëndetje me 21 topa. Pas fjalimit të Presidentit Trump, çiftet mbretërore dhe presidenciale do të ndjekin një paradë nderi me rreth 300 ushtarakë në ballkonin e Dhomës Blu, pranë afro 500 përfaqësuesve të forcave të armatosura amerikane.
Programi i vizitës përfshin gjithashtu shkëmbim dhuratash, takime bilaterale dhe një darkë shtetërore që do të mbahet në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë. Në të njëjtën ditë, Mbretit Charles do t’i drejtohet Kongresit të SHBA-së — një rast i veçantë, pasi ai do të bëhet sovrani i parë britanik që flet përpara ligjvënësve amerikanë që nga viti 1991, kur Mbretëresha Elizabeth II mbajti fjalimin e saj para Kongresit.
Më pas, të mërkurën, Mbretit Charles i parashikohet një vizitë në Nju Jork, ku do të përfshijë një ndalesë te Memoriali i 11 Shtatorit. Sipas programit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, kjo vizitë konsiderohet një moment historik dhe simbolik që lidh kremtimin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së me marrëdhëniet moderne ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.














