Paraditen e 24.04.2026 u raportua një ngjarje në fshatin Gurëz, Kurbin, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar. Pas veprimeve të para hetimore autoritetet zbardhën dinamikën e ngjarjes dhe identifikuan autorin, i cili u shpall në kërkim, si dhe një tjetër shtetas për moskallëzim krimi. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ndërsa vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Sipas hetimeve, shtetasi A. T. është konfliktuar, dyshohet për motive të dobëta, me shtetasin F. C., alias F. S., i cili dyshohet se ka plagosur 35-vjeçarin. Rreth orës 10:20, i plagosuri mbërriti në spitalin e Laçit në këmbë, me plagë nga armë zjarri (pistoletë). Mjeku roje i atij spitali nuk njoftoi shërbimet e Policisë dhe e dërgoi të plagosurin për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Pas ngjarjes, shtetasi R. M., 26 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, shoqëroi në spital 35-vjeçarin dhe më pas u largua, duke braktisur automjetin me të cilin udhëtonte; për të u bë shpallja në kërkim për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Për shtetasin F. C., alias F. S., 40 vjeç, banues në Gorre, Kurbin, u bë shpallja në kërkim për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Po ashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. I., 58 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shkak se nuk ka kryer detyrën e tij funksionale lidhur me mosnjoftimin e shërbimeve të Policisë. Hetimet dhe procedimet vijojnë për veprime të mëtejshme ligjore dhe dokumentim të plotë të rastit.















