Gjykata e Lartë në Londër bllokoi për momentin ekstradimin nga Anglia të pesë personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare për dyshimet e përfshirjes në vrasjen e Ardian Nikulajt në prill 2023 në Shëngjin. Vendimi, i marrë nga gjykatësi Justice Swift dhe i disponuar nga gazetari Muhamed Veliu, pranon kërkesën për mos-ekstradim për Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, Harry Simpson, Steven Hunt dhe Edmond Haxhia, të cilin Prokuroria e Lezhës e ka cilësuar si organizator të vrasjes.
Në vendimin e dhënë paraditen e së premtes, gjykatësi Swift pranoi argumentin e mbrojtjes se ish-sekretarja e Shtetit për Punët e Brendshme, Yvette Cooper, kishte nënshkruar një urdhër ekstradimi që përmbante akuzat e vjetra për “vrasje për gjakmarrje”, të cilat më pas u ndryshuan në “vrasje në bashkëpunim me paramendim”. Për këtë arsye, gjykatësi shpalli të pavlefshme urdhër-arrestet e kthyer në urdhra ekstradimi.
Gjykata pranoi edhe një argument tjetër të mbrojtjes lidhur me garancitë që prokurorët e Lezhës kishin dhënë se të pandehurit nuk do të akuzoheshin për gjakmarrje. Në vendim thuhet se kjo garanci nuk ka më fuqi vepruese, pasi dy prokurorët që e kanë lëshuar atë nuk janë më pjesë e sistemit të drejtësisë shqiptare pas largimit gjatë procesit të vetting-ut.
Top Channel kërkoi informacion nga prokuroria britanike, e cila përfaqëson interesat e Republikës së Shqipërisë në këtë rast, për veprimet pas këtij vendimi. Një zëdhënës i prokurorisë britanike tha: “në emër të Republikës së Shqipërisë, është dhënë njoftim për synimin për të kërkuar leje për të paraqitur ankesë në Gjykatën e Supreme sipas nenit 114 të Aktit të Ekstradimit 2003”.
Sipas të njëjtit zëdhënës, Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Steven Hunt do të vazhdojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa Harriet Bridgeman është liruar me kusht.















