Drejtoria e Policisë Rrugore njofton intensifikimin e masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, me kontrolle të bëra edhe me mjete inteligjente shpejtësimatëse dhe dronë. Në njoftimin e Policisë së Shtetit theksohet se shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, në zbatim të porosive të Drejtorit të Përgjithshëm, kanë ndryshuar mënyrën e kontrollit dhe monitorimit të trafikut duke përdorur mjetet inteligjente.
Kontrollet do të vijojnë edhe gjatë fundjavës për parandalimin e drejtimit të automjeteve në efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur. Janë vendosur kontrolle rigoroze në qendrat urbane për parkime të gabuara, zhurma dhe manovra të rrezikshme nga marmitat, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, mosvendosjen e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit dhe pasagjerët e motomjeteve, mosvendosjen e rripit të sigurimit, si dhe për mosdhënie të përparësisë këmbësorëve në vijat e bardha.
Si rezultat i monitorimeve të intensifikuara, gjatë një jave shërbimet e Policisë Rrugore kanë vendosur 21 931 masa administrative. Janë arrestuar 36 drejtues automjetesh, 22 për drejtim në gjendje të dehur dhe 14 për drejtim pa leje. Në zonat urbane janë vendosur 11 526 masa administrative për parkime të gabuara; në dhjetëra raste janë përdorur edhe mjetet ngritëse të Policisë së Shtetit për të hequr automjetet nga korsitë e dedikuara dhe nga trotuaret që pengonin lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Në akset rrugore nacionale janë vendosur 4 775 masa administrative për shpejtësi tej normave të lejuara. Për shkelje të tjera janë regjistruar 1 224 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 302 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 789 për përdorim të celularit gjatë drejtimit, 1 235 për parakalime të gabuara, 83 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe në gjendje të dehur, 139 për zhurma dhe manovra të rrezikshme në qendrat urbane, si dhe 1 858 masa për shkelje të tjera të evidentuara gjatë monitorimeve.
Drejtoria e Policisë Rrugore njofton se, për shkak të fluksit të shtuar gjatë fundjavave drejt zonave bregdetare dhe turistike, janë marrë masa shtesë duke shtuar patrullimet në akset kombëtare dhe monitorimet me mjete inteligjente. Apelon te drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, pasi çdo shkelje e evidentuar do të ndëshkohet me masë administrative që pasqyrohet në e-Albania.















