“Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për krijimin e qendrave për migrantët në Shqipëri konsiderohet ‘në përputhje’ me rregullat e Bashkimit Europian për kthimin dhe azilin, por duhet të garantohet respektimi i plotë i të drejtave të emigrantëve”, përfundon avokati i përgjithshëm i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, Nicholas Emiliou, në opinionin e tij jo detyrues që paraprin vendimin e gjyqtarëve në Luksemburg. Emiliou thekson se “E drejta e BE-së nuk e ndalon një shtet të krijojë qendra mbajtjeje jashtë territorit të vet”, por shton se vendeve u mbetet detyrë të ofrojnë të gjitha garancitë e nevojshme për personat e mbajtura atje.
Opinionit i kushtohet rëndësi e veçantë nevojës për sigurimin e ndihmës ligjore, përkthimit dhe mundësive për kontakt me familjarët dhe autoritetet për të gjithë emigrantët e ndaluar. Një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet të miturve dhe personave në nevojë të veçantë, sipas avokatit të përgjithshëm. Ky opinion është jo detyrues dhe shërben si këshillë për gjyqtarët që do të vendosin për ligjshmërinë e protokollit.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e interpreton opinionin e Emiliou si konfirmim të rrugës së ndjekur nga qeveria: “Kemi humbur më kot dy vite për shkak të interpretimeve gjyqësore të detyruara dhe të pabazuara. Tani është koha të ecim përpara me seriozitet, guxim dhe zgjidhje konkrete kundër emigracionit të paligjshëm”, ka deklaruar ajo, duke e parë opinionin si mbështetje politike për veprimin qeveritar.
Protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë, i nënshkruar më 6 nëntor 2023 dhe i ratifikuar më 21 shkurt 2024 me ligjin nr. 14, i lejon Italisë të krijojë dhe menaxhojë në Shqipëri qendra për ndalimin dhe riatdhesimin e emigrantëve, të cilat mbeten nën juridiksionin italian. Vendimi i Gjykatës së BE-së pritet të shpallet në fund të majit ose fillim të qershorit.
Sipas La Repubblica, opinionet e avokatit të përgjithshëm konsiderohen sinjal për qëndrimin e mundshëm të gjyqtarëve dhe përbëjnë një pikë pozitive për qeverinë italiane, pas një opinioni më 10 prill që favorizonte gjykatat kombëtare në vlerësimin e vendeve të sigurta.















