Një hetim i BBC, i bazuar në dokumente të shqyrtuara, zbulon se Jeffrey Epstein ka strehuar disa gra të reja të abuzuar seksualisht në disa apartamente në Londër. Të paktën katër apartamente në zonat luksoze Kensington dhe Chelsea u përdorën për të strehuar gra, gjashtë prej të cilave më vonë u identifikuan publikisht si viktima të abuzimit. Shumë prej grave vinin nga Rusia, Europa Lindore dhe vende të tjera, dhe disa u sollën në Mbretërinë e Bashkuar edhe pasi Virginia Giuffre ngriti akuzë për trafikim.
Dokumentet tregojnë se disa nga këto gra jo vetëm u abuzuan, por edhe u detyruan të rekrutonin të tjera për rrjetin e Epstein. Ato udhëtonin shpesh mes Londrës dhe Parisit me Eurostar, ndërsa Epstein finansonte jetesën e tyre — përfshirë qiratë, studimet dhe shpenzimet e përditshme — duke i mbajtur në varësi. Hetimi nxjerr në pah se aktiviteti i tij në Mbretërinë e Bashkuar ishte më i gjerë se sa mendohej më parë, me një rrjet të organizuar që përfshinte strehim, transport dhe mbështetje financiare për viktimat, të paraqitura si ndihmë.
Megjithë ankesat dhe indiciet e shumta, autoritetet britanike nuk hapën një hetim të plotë. Avokatja Tessa Gregory e cilësoi këtë si “të habitshme”, duke theksuar se shteti ka detyrim ligjor të hetojë rastet e dyshuara të trafikimit. Dokumentet tregojnë po ashtu se autoritetet britanike kishin informacion për aktivitetet e Epstein dhe ia kishin përcjellë atë Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, hetime të reja në Francë po shqyrtojnë akuza për trafikim dhe pastrim parash lidhur me aktivitetet e Epstein. Rasti ngre pyetje mbi dështimet institucionale dhe mungesën e veprimit në kohë, ndërsa mbetet e paqartë se kush tjetër mund të ketë qenë i përfshirë dhe nëse aktivitete të ngjashme kanë mundur të vazhdojnë.















