Drejtoria e Përgjithshme e Doganave reagoi pas lajmit se një kontenier me mallra nga Porti i Durrësit ishte nisur gabimisht për në Pire të Greqisë, duke sqaruar se kontenieri ishte ndaluar fillimisht si pjesë e kontrolleve për mallra të dyshuara si cënuese të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe më pas u bllokua për verifikim. Gjatë kontrollit, u konstatuan mallra të dyshuara si shkelëse të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe u vendos bllokimi i sasisë deri në përgjigjen përfundimtare.
Autoriteti doganor shpjegon se për magazinimin e mallrave u vënë në dispozicion kontenierë bosh, të plumbosur dhe të vendosur në Zonën e Monitorimit. Ky kontenier rezulton të jetë përdorur edhe për të depozituar dy bllokime të tjera sipas procesverbaleve përkatëse. Më 09.04.2026, pas përfundimit të kontrollit të një deklarate tranziti ku u gjetën sërish mallra të dyshuara si cënuese, u vendos që mallrat të depozitoheshin dhe të bllokoheshin në të njëjtin kontenier ku ishin dhe sasitë e mëparshme. Gjatë kontrollit u vërejt se kontenieri nuk ndodhej më në Zonën e Monitorimit.
Drejtoria thotë se menjëherë kontaktoi Autoritetin Portual që menaxhon Terminalin e Kontenierëve, i cili informoi se kontenieri ishte imbarkuar në një anije kontenierike dhe ishte regjistruar si kontenier bosh. U kontaktua po ashtu përfaqësuesi i agjencisë detare, i cili deklaroi se kontenieri ishte ngarkuar në anije më 02.04.2026 si kontenier bosh. Pas marrjes së dijenisë, strukturat e hetimit doganor filluan hetimin procedural dhe administruan dokumentet e procedurës.
Kontenieri është kthyer tashmë në Portin e Durrësit dhe verifikimi paraprak ka treguar se nuk ka ndryshime në plumbosjen e tij. Ai do të hapet nga strukturat e hetimit doganor dhe Prokuroria e Durrësit. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaron se do të bashkëpunojë me organet kompetente për sqarimin ligjor të rrethanave lidhur me lëvizjen e mallrave të dyshuara dhe se, krahas veprimeve të prokurorisë, në çdo rast do të vlerësohet edhe përgjegjësia disiplinore e doganierëve.















