Ministrat europianë të transportit po shqyrtojnë masa për të shmangur një mungesë karburanti për avionët, pas paralajmërimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) se rezervat në kontinent kanë kapacitet për pak më pak se gjashtë javë. Si zgjidhje po merren në konsideratë furnizime alternative, përfshirë importin nga Shtetet e Bashkuara, një burim që deri tani është përdorur shumë pak në Europë. Po ashtu po shqyrtohet leja që linjat ajrore të furnizohen me sasi më të mëdha karburanti jashtë territorit europian, një praktikë e ndaluar aktualisht.
Një tjetër masë në diskutim është pezullimi i disa rregullave mbi slot-et aeroportuale, që përcaktojnë lejet për linjat ajrore për të kryer fluturime në orare të caktuara. Komisioni Europian pritet të shpallë sot një paketë masash, sipas Corriere della Sera. Paralelisht, do të intensifikohet monitorimi i rezervave të karburantit të avionëve dhe, nëse është e nevojshme, do të koordinohet shpërndarja e tij mes shteteve anëtare të BE-së.
IEA paralajmëroi më parë për nevojën e masave të shpejta për të ulur përdorimin e karburanteve, duke lidhur krizën me luftën në Iran. Rekomandimet e agences fokusohen në sektorin e transportit, i cili, sipas IEA-s, përbën rreth 45 për qind të konsumit të naftës. Agjencia thekson se edhe ndryshimet e thjeshta në sjellje mund të japin ndikim të shpejtë për reduktimin e konsumit të karburanteve.
Si shembuj të ndryshimeve të rekomanduara për sjelljen e shoferëve, IEA përmend kufizimet e shpejtësisë, nxitjen e punës nga shtëpia dhe reduktimin e fluturimeve. Këto masa synojnë të zvogëlojnë kërkesën për naftë dhe karburant në një periudhë ku furnizimet janë të kufizuara dhe ku kufizimet aktuale rregullatore mund të pengojnë zgjidhje të menjëhershme, si importet jashtë BE-së ose furnizimet alternative.















