Midis dronëve, anijeve të vogla, raketave dhe minave, konflikti asimetrik në Ngushticën e Hormuzit po detyron komandantët amerikanë të rishpikin taktika për të zbulnuar dhe goditur një armik më të dobët, por më të shkathët dhe të fshehur mes detit dhe tokës. Ngushtica, në pikën e saj më të ngushtë rreth 35 km, dhe për të paktën 50 km sipërfaqe me hapësirë të kufizuar lundrimi, e bën manovrimin e anijeve tregtare dhe luftarake shumë të vështirë, ndërsa ujrat e cekëta dhe ishujt pranë bregdetit iranian dhe atij omanian kufizojnë veprimin e forcave amerikane.
Forcat iraniane, veçanërisht njësitë elitare të Pasdaranëve, të motivuara nga ideologjia e revolucionit, përdorin armë të thjeshta por vdekjeprurëse: dronë ajrorë kamikazë që shërbejnë për vëzhgim dhe sulm, të lirë për t’u ndërtuar dhe të aftë të ngatërrojnë radarë dhe sisteme të shtrenjta mbrojtëse; raketa të ndryshme, përfshi edhe sisteme kundërajrore të mbajtura në shpatullë; dhe anije të vogla të shpejta, me shpejtësi rreth 200 km/orë në ujë të qetë. Shumë nga anijet e vogla janë shkatërruar nga sulme ajrore ndërsa qenë të ankoruara, por shumë të tjera janë kamufluar dhe ankoruar në gjire të vogla për të goditur anijet civile në det të hapur.
Sipas analizës së firmës së riskut detar Windëard, që nga 28 shkurti janë regjistruar të paktën 68 incidente, duke prekur 31 anije tregtare dhe 37 objekte të infrastrukturës energjitike detare si platforma nafte, centrale gazi dhe porte. Një e pesta e tregut global të energjisë është paralizuar; Uashingtoni raporton se të paktën 27 anije janë ndaluar dhe kthyer mbrapsht që nga fillimi i bllokadës së trafikut tregtar iranian. SHBA ndaloi një anije mallrash iraniane në përpjekje tranziti nëpër Hormuz, akt që Teherani e quajti “akt piraterie” dhe kërcënoi me përgjigje “të përshtatshme”.
Sipas Marinës Britanike, deri dje vetëm tre anije tregtare kishin kaluar nëpër Hormuz; dy anije mallrash u sulmuan të shtunën, dhe një anije e vogël iraniane hapi zjarr pa paralajmërim. OKB raporton që rreth njëzet anije janë goditur në javët e fundit, krahasuar me rreth 120 anije të mëdha që kalonin çdo ditë para luftës.















