Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua në Bruksel me Komisioneren për Zgjerimin të BE-së, Marta Kos, për të diskutuar procesin e avancuar të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. Në qendër të bisedimeve ishte ruajtja e momentumit aktual dhe vijimi me konsistencë në rrugën drejt BE-së, si dhe rëndësia e rezultateve konkrete dhe reformave të qëndrueshme që mbështesin këtë proces.
Hoxha theksoi se zgjedhja e Shqipërisë është e qartë dhe se rruga drejt BE-së ndërtohet mbi angazhime të forta, reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete. Ai shprehu edhe nevojën për vendime në kohën e duhur që të ruajnë besimin dhe ta mbajnë procesin të parashikueshëm, efektiv dhe të orientuar drejt së ardhmes.
Në bisedë u trajtua zbatimi i Axhendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, të cilin Hoxha e përshkroi si element që përplotëson procesin e anëtarësimit dhe sjell përfitime të prekshme për qytetarët. Ai nënvizoi rëndësinë e harmonizimit të vazhdueshëm me standardet e BE-së, forcimin e sundimit të ligjit dhe të një gjyqësori të pavarur e profesional, si dhe progresin e qëndrueshëm në të gjitha grupkapitujt e negociatave, duke i cilësuar këto si prioritetet e përditshme.
Gjatë takimit u theksua po ashtu rëndësia e një komunikimi të qartë dhe konsistent mbi përfitimet dhe përgjegjësitë e zgjerimit, me synim rritjen e mbështetjes publike, nxitjen e transparencës dhe gjithëpërfshirjes. Hoxha vuri në dukje rolin kyç të komunikimit për të rritur besimin dhe përkrahjen e procesit.
Komisionerja Marta Kos vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria dhe rikonfirmoi rëndësinë e vazhdimit të reformave, duke nënvizuar se procesi i zgjerimit mbetet një proces i bazuar në meritë. Pas takimit, Hoxha publikoi një postim ku ripërsëriti pikat kryesore të diskutimit, përfshirë rëndësinë e momentumit, zbatimin e Axhendës së Reformave dhe nevojën për vendime të duhura në kohë për të ruajtur besimin në procesin e zgjerimit.















