Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesnata”, për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që qarkullojnë me armë pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative. Gjatë operacionit, në lagjen nr. 18 u ndalua automjeti me drejtues shtetasin E. K. Shërbimet e policisë kontrolluan fizikisht personin dhe gjatë kontrollit iu gjet në çantën marsup një armë zjarri pistoletë, që rezultoi të ishte në posedim pa leje. Në kontrollin e banesës së tij policia gjeti gjithashtu një sasi municioni luftarak, e cila u sekuestrua.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 32-vjeçari drejtonte automjetin pa leje drejtimi. Pas përfundimit të veprimeve procedurale, shtetasi E. K., 32 vjeç, banues në Durrës, u arrestua në flagrancë. Ai u procedua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Përveç armës së zjarrit pistoletë, u sekuestrua edhe municioni luftarak që iu gjet në banesë. Materialet procedurale dhe provat e sekuestruara iu kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.















