Policia e shtetit konfirmon për Exclusive se gjatë vitit të fundit në gjithë vendin u dogjën 233 banesa; 10 qytetarë humbën jetën nga asfiksia dhe pesë të tjerë u plagosën. Në Tiranë u regjistruan 93 shtëpi të shkrumbuara, 27 në Durrës dhe 20 në Vlorë. Disa prej shkaqeve të zjarreve të përmendura ishin bombolat e gazit, shkëndijat elektrike dhe djegia e makinave elektrike në garazhe.
Shkëlqim Goxhaj tha se në territorin e bashkisë së Tiranës janë spostuar gjeneratorët, që më së shumti përdoren nga marketet, dhe kërkoi nga qytetarët që t’i njoftojnë nëse katet nëntokë shfrytëzohen nga biznese. Ai përmendi vështirësitë e mbylljes së parkimeve në nivele të thella, duke thënë se propozimi i tyre është që të gjitha parkimet të jenë të hapura. Përsa i përket garazheve, Goxhaj u shpreh se në disa ambiente, si pranë Air Albania, ka kanale ventilimi dhe “nuk ka shans të mos ventilohet”, ndërsa për garazhe të tjera ata ndjekin këto çështje.
Goxhaj theksoi se këto objekte kontrollohen që në fazën e projektimit dhe se ligji i fundit për performancën parashikon që në çdo pesë vende parkimi të bëhet një vend me karikim elektrik. Ai konsideron si absurde vendosjen e një karikimi elektrik në garazh pa u siguruar paraprakisht rreth kushteve të ambientit dhe përmendi debatet dhe rregullat që kanë pasur vendet e tjera, si Gjermania.
Përveç rrezikut ndaj jetës dhe dëmeve materiale, skemat e dëmshpërblimeve çojnë në shpenzime të mëdha për shtetin çdo vit. Në rastin e pallatit të djegur, dëmet përshkruhen si të pallogaritshme dhe çështja ka marrë përmasa penale. Dritan Dango, drejtor i emergjencave pranë bashkisë Tiranë, deklaroi: “Do i kompensojmë vetëm orenditë, e thotë ligji.”
Banorët kërkojnë më shumë garanci për sigurinë e jetës dhe pasurisë. Artur Gjeta, një nga të prekurit, që ishte nga të parët që pa zjarrin, shprehu nevojën për masë parandaluese: “Dua të shkulin fasadat që dikush të mos kujtohet të bëjë keq.”















