Çështja nuk lidhet vetëm me zhvillimin urbanistik dhe kriteret bazë si rrugët, shkallët e emergjencës dhe sistemi hidrik në çdo godinë, por edhe me mungesën e verifikimeve të materialeve dhe zbatimit të lejeve në terren. Urbanisti Maks Kola vë në dukje se Shqipëria ka sipërfaqe rrugore trefish më pak se vendet përreth, çka rrit dendësinë e banimit, përqendron zhvillimin në Tiranë dhe bregdet, dhe krijon vështirësi për trafik, ambulanca, policinë dhe zjarrfikëset. Drejtori i shërbimit zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, thotë se zjarrfikësit kanë të përcaktuara zonat me vështirësi për afrim, si qendra e Tiranës dhe Myslym Shyri.
Ngrihen pyetje se kujt i besohet siguria e një pallati: projektuesit, supervizorët, administratori apo institucionet kontrolluese. Alban Qafa thekson se supervizori duhet të jetë përgjegjës për materialet, por kualiduesit dhe ISHTI nuk kanë funksionuar, dhe administratorët nuk rezultojnë të trajnuar mjaftueshëm për të reaguar në emergjencë. Gjergj Simaku kërkon përcaktim ligjor të përgjegjësive të supervizorit dhe sjell shembullin e godinës së SPAK-ut ku materialet firmoseshin nga supervizori.
Problemet përfshijnë mungesën e detyrimit ligjor për vendosjen e detektorëve të tymit në banesa, përzierjen e funksioneve në katet përdhe ku shërbimet dhe banesat nuk janë të ndara, dhe kthimin e banesave në njësi komerciale pa leje, me ndërhyrje në rrjetin elektrik dhe ujërat e zeza. Qafa kërkon që kompanitë të paraqesin origjinën e materialeve në momentin e kolaudimit. Simaku kritikon VKM 537/2020 që vendosi koeficientin e termoizolimit pa specifikuar materialet që duhet përdorur, duke krijuar boshllëk ligjor lidhur me cilësinë.
Fjolard Saliko nënvizon se dokumentet fillestare janë conforme me euronormat, por në praktikë ato cënohen. Ka projekte që legalizohen pas ndërtimit dhe janë më pak profesionale. Simaku thekson mungesën e kontrollit të cilësisë së zbatimit, mungesën e certifikimeve për elektriçistët dhe mungesën e infrastrukturës hidrike për zjarrfikëset, çka vështirëson përcaktimin e përgjegjësive në rast incidentesh.















