Ushtria amerikane po planifikon në ditët në vijim një seri bastisjesh dhe sekuestrimesh të anijeve të lidhura me Iranin në ujëra ndërkombëtare, në një përpjekje për të rritur presionin ekonomik dhe ushtarak ndaj Teheranit, ndërsa tensionet në Ngushticën e Hormuzit mbeten të larta. Sipas Wall Street Journal, SHBA po përgatitet të ndalojë cisterna dhe anije tregtare të dyshuara si të lidhura me Iranin edhe jashtë Lindjes së Mesme, duke zgjeruar operacionet e mbikëqyrjes detare në nivel global.
Zhvillimi vjen ndërsa forcat iraniane kanë shtuar praninë në Ngushticën e Hormuzit dhe janë akuzuar për sulm ndaj të paktën dy anijeve tregtare; Teherani thotë se po “kontrollon fort” këtë rrugë ujore strategjike. Administrata amerikane synon që përmes këtij presioni të detyrojë Iranin të garantojë kalim të lirë në ngushticë dhe të bëjë lëshime në programin bërthamor, që mbetet një nga çështjet kryesore të negociatave. Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Irani ka pranuar dorëzimin e rezervave të uraniumit të pasuruar, pretendim i mohuar nga pala iraniane.
Komanda Qendrore e SHBA-së njofton se 23 anije që përpiqeshin të lundronin nga portet iraniane janë ndaluar tashmë, si pjesë e një bllokade detare në rritje. Zyrtarë ushtarakë thonë se operacioni do të synojë çdo anije me flamur iranian ose ato që ofrojnë mbështetje për Teheranin, përfshirë “flotën në hije” që dyshohet se shmang sanksionet dhe rregulloret ndërkombëtare. Gjenerali Dan Caine deklaroi se SHBA do të veprojë ndaj çdo anijeje të lidhur me Iranin, përfshirë ato që transportojnë naftë ose armë.
Faza e re, që përfshin edhe Komandën Indo-Paqësore, është pjesë e fushatës së quajtur “Tërbimi Ekonomik”. Shtëpia e Bardhë thotë se kombinimi i masave ekonomike dhe bllokadës detare synon të detyrojë Iranin drejt një marrëveshjeje. Rritja e tensioneve vijon ndërsa një armëpushim i përkohshëm pritet të përfundojë javën e ardhshme dhe raundi i fundit i negociatave nuk ka sjellë përparim të dukshëm. Të dyja palët po përgatiten për skenarë të mundshëm përshkallëzimi; Irani disponon mijëra raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme, ndërsa SHBA paralajmëron se forcat e saj janë të gatshme të rifillojnë operacionet ushtarake nëse bisedimet dështojnë.
Departamenti i Thesarit të SHBA-së ka zgjeruar listën e sanksioneve ndaj anijeve, kompanive dhe individëve të përfshirë në tregtinë e naftës iraniane, duke paralajmëruar ndjekje penale për subjektet që blejnë ose shesin naftën e sanksionuar.














