Një studim që analizon qëndrimet e votuesve një dekadë pas referendumi të Brexit-it tregon se mbështetja për rikthimin e plotë të Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian, dhe jo vetëm për t’u rikthyer në tregun e përbashkët, është në rritje mes qytetarëve britanikë. Studimi, i referuar nga The Guardian, tregon se një shumicë e përgjithshme prej 53% e votuesve favorizon një rikthim të plotë në BE.
Në ndarjen sipas forcave politike, mbështetja për rikthimin në BE është veçanërisht e lartë te votuesit e partive progresiste: rreth 83% e mbështetësve të Partisë Laburiste, 84% te Liberal Demokratët dhe 82% te Partia e Gjelbër mbështesin këtë opsion. Nga ana tjetër, tek votuesit e Partisë Konservatore mbështetja është 39%, ndërsa te ata të Reform UK vetëm 18%, sipas të dhënave të organizatës Best for Britain.
Ekspertët e përfshirë në studim paralajmërojnë se qasja e vakët e laburistëve ndaj çështjes së rikthimit në BE mund t’u kushtojë atyre humbjen e mbështetjes nga votuesit progresistë, duke përfshirë edhe ato në bastionet tradicionale të partisë të njohura si “muri i kuq” (red wall). Ky paralajmërim pasqyrohet në analizën e organizatës Best for Britain, e cila vlerësoi gjithashtu ndryshimin e qëndrimeve në mesin e elektoratit gjatë 10 viteve të fundit që pas referendimit të 2016-ës.
Referendumi i organizuar në qershor të vitit 2016 pyeti nëse Britania duhet të qëndrojë ose të largohet nga Bashkimi Europian; rezultati tregoi se 52% e votuesve mbështetën largimin ndërsa 48% votuan për të qëndruar. Ky rezultat surprizoi shumë dhe nxiti protesta, veçanërisht në rajone ku Brexit kishte pak mbështetje, përfshirë Skocinë. Britania ishte anëtare e BE-së që nga viti 1973 dhe u bë vendi i parë që doli nga blloku; procesi i daljes zgjati rreth dy vjet.















