Marie Louise Eta është emëruar trajnere e parë e Union Berlin dhe do të bëjë debutimin në pankinë pasditen e së shtunës në ndeshjen me Wolfsburg, një përballje në të cilën vendoset qëndrimi i klubit në elitën e futbollit gjerman. Emërimi i saj shënon një hap historik, pasi Eta është trajnerja e parë që drejton një skuadër meshkujsh jo vetëm në Bundesligë, por edhe ndër pesë ligat kryesore.
Eta ka theksuar rëndësinë e dukshmërisë që sjell posti i saj. “Do të ishte bukur sikur të hapeshin rrugët dhe dyert,” ka thënë ajo, duke shtuar se shpreson që kjo gjë të gjenerojë frymëzim për vajzat e reja, që të shohin se gjithçka është e mundur, se asgjë nuk përjashtohet dhe se merita është ajo që ka rëndësi. Ajo ka nënvizuar besimin se me përpjekje mund të arrihet kudo që dëshirohet.
Përballja në stadiumin An der Alten Försterei pritet tërheqë vëmendjen e medias dhe të tifozërisë, me sytë e shumëkënd që do të jenë pikërisht te pankina e Union Berlin në momentin e debutimit të saj. Eta ka pranuar se fakti se publiku u intereson është një argument i rëndësishëm dhe ka peshë të madhe për perceptimin e jashtëm.
Megjithatë, trajnerja ka thënë se vëmendja nuk përbën problem për të; ajo është mësuar me këtë dhe përkushtimi i saj mbetet te futbolli. Eta ka theksuar se puna e saj është bashkëpunimi me të tjerët dhe se ajo e vlerëson veçanërisht qëndrimin dhe bashkëpunimin brenda ekipit. Sipas saj, synimi është arritja e suksesit më të madh të mundshëm përmes punës kolektive.
Ky emërim dhe debuti i Eta-s pasqyrohen si një rast me ndikim simbolik, ndërkohë që përplasja sportive ndaj Wolfsburg vendos shumë për të ardhmen e Union Berlin në kompeticionin elitar gjerman.
Top Channel














