Aktorja fituese e çmimit Oscar, Cate Blanchett, do të portretizojë manjaten e medias dhe ikonën e stilit Martha Stewart në filmin biografik të titulluar “Good Thing”, një referencë ndaj sloganit të njohur të Stewart, “It’s good”. Projektin do ta drejtojë regjisoria Janicza Bravo, e njohur për punën e saj në seriale si The Bear, Poker Face dhe In Treatment; ky film shënon gjithashtu një ribashkim profesional mes Bravo dhe Blanchett, të cilat bashkëpunuan më parë në dramën e vitit 2020 Mrs. America. Lajmi është raportuar nga Variety dhe qarkulloi edhe në rrjete sociale.
Martha Stewart, e cila ka nisur karrierën si modele dhe sipërmarrëse, u bë e njohur në vitet 1980 me seritë e saj të librit për gatim dhe stil jetese, të frymëzuara nga përvoja në biznesin e ushqimit. Me kalimin e kohës ajo ndërtoi një perandori mediatike që përfshinte revista, libra, produkte shtëpiake dhe emisione televizive, ndër të cilat spikat seriali fitues i Emmy, Martha Stewart Living. Përmes kompanisë Martha Stewart Living Omnimedia, pas daljes në bursë në vitin 1999, Stewart u bë gruaja e parë miliardere në SHBA që krijoi vetë pasurinë e saj.
Përveç suksesit profesional dhe zgjerimit të markës, Stewart ka vazhduar edhe me nisma të reja biznesi; vetëm vitin e fundit ajo njoftoi lançimin e linjës së saj të kozmetikës, Elm Biosciences. Megjithatë, karriera e saj nuk ka qenë pa polemika: në vitin 2004 u përfshi në një gjyq të shumëpërfolur dhe u shpall fajtore për akuza që përfshinin komplot, pengim të drejtësisë dhe dhënie deklaratash të rreme ndaj hetuesve federalë, si pasojë e së cilave vuajti pesë muaj burg.
Filmi “Good Thing” pritet të sjellë në ekran historinë e plotë të ngritjes, suksesit dhe sfidave profesionale dhe personale të Martha Stewart, duke portretizuar rrugëtimin e një prej figurave më të dukshme të industrisë së stilit të jetesës. Prodhimi rikthen bashkë aktoren dhe regjisoren pas bashkëpunimit të tyre të mëparshëm dhe pritet të fokusohet në elementët kyç të karrierës dhe kontestet që e shoqëruan atë.














