Një skeme e mirëmenduar mashtruese ishte ajo e ngritur nga Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj, ku përmes disa call center në Tiranë, kanë përfituar shuma të majme duke mashtruar qytetarë të huaj.
Pjesë e të akuzuarve janë edhe Aida Vokli dhe Ledion Cenaj, por këta të dy konsiderohen sipas prokurorisë me rrezikshmëri të ulët, pasi roli kryesor në këtë skemë të madhe mashtrime të të huajve, e kanë emrat e sipërpërmendur.
Sipas dosjes së siguruara nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, duket se hetimet kanë nisur pas një denoncimi të bërë nga një shtetase e huaj, austriake, e cila ka rënë pre e mashtrimit nga këta persona që vepronin nga Shqipëria përmes internetit, duke humbur shumë të mëdha financiare.
Autoritetet austriake që kanë bashkëpunuar me palën shqiptare për zbulimin e këtij grupi, kanë evidentuar platformat online që janë përgjegjëse për mashtrimet, të emëruara si: ALPHASCRYРТO, САРPITALMARKET24, GOLDCAPITAL24.
Këto platforma dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.
Nëpërmjet mashtrimit autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë vetë ose për llogari të personave të tjerë, pasi të dëmtuarit për shkak të mashtrimeve dhe prezantimit të të dhënave të rreme kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash të cilat në total mendohet se mund të jetë më shumë se 30 milionë euro.
Ajo që vlen të theksohet është fakti se Tedi Agastra në bashkëpunim me babanë e tij i cili ka zyrën e këmbimit valutor “Alba Forex” të ndodhur në rrugën “Abdyl Frashëri”, ka bërë kthimin e kriptovalutave në para FIAT.















