E njëjta kompani që vitin e kaluar u përfshi në një skandal të rëndë me produkte të kontaminuara me salmonelë, duket se vijon të operojë mbi të njëjtën logjikë abuzimi dhe papërgjegjshmërie. “diMal”, e njohur në treg për importin dhe tregtimin e produkteve ushqimore, rikthehet sërish në qendër të një skandali që këtë herë nuk prek vetëm sigurinë ushqimore, por edhe integritetin financiar dhe trajtimin e punonjësve. Një histori që duhej të kishte shërbyer si alarm për institucionet, sot duket se është kthyer në një precedent të rrezikshëm: shkeljet përsëriten, ndërsa përgjegjësia mungon.
Janë zbardhur detaje të reja tronditëse nga një skandal që përfshin Portin e Durrësit dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), ku një sasi e konsiderueshme fileto pule e ngrirë, e ardhur nga Brazili, ka rezultuar e kontaminuar me salmonelë, ndërsa një pjesë e saj është hedhur në treg dhe konsumuar nga qytetarët.
Burime për mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për mbi 18 ton në total, ku 13.1 ton fileto pule është shpërndarë në treg, ndërsa vetëm 5.2 ton është bllokuar nga AKU. Sasia ka hyrë në Shqipëri më 11 mars 2025, por ajo që e rëndon edhe më shumë situatën është fakti se produkti është hedhur në treg pa pritur daljen e analizave laboratorike.
Ndërkohë, pas publikimit të skandalit, AKU ka reaguar me një komunikatë të shkurtër, duke pranuar faktet, por pa bërë transparencë mbi subjektin përgjegjës që hodhi në treg produktin e kontaminuar.
Sipas burimeve, kompania në fjalë është “AMG FOOD”, e njohur në treg me emrin “diMal”, në pronësi të shtetasit Mondi Goxha. Pikërisht kjo kompani dyshohet se është lejuar të shpërndajë produktin, ndonëse procedurat standarde kërkojnë që mishi të qëndrojë i bllokuar deri në daljen e analizave.
Rezultatet e analizave kanë dalë me 5 ditë vonesë, kohë gjatë së cilës 13.1 ton mish i kontaminuar është konsumuar nga qytetarët shqiptarë, duke ngritur alarmin për një rrezik serioz për shëndetin publik.
Por skandali nuk ndalet këtu.
Një denoncim i ri nga një person që pretendon se është punonjës i kompanisë “diMal”, hedh dritë mbi praktika të dyshimta financiare brenda subjektit. Sipas këtij denoncimi, kompania dyshohet për evazion fiskal, fshehje të të ardhurave dhe pagesa fiktive ndaj punonjësve.
Denoncimi:
“Pershendetje, un jam nje puntor te Dimal dhe dua me denoncu disa gjera qe po ndodhin. Kjo kompani nuk i deklaron te gjitha te ardhurat, shum gjera behen pa fatur dhe parat meren cash. Neve na japin nje page ne banke dhe tjeter ne dor qe nuk deklarohet. Kjo esht e padrejt dhe po na demton sepse nuk kemi siguracione te sakta.
Gjithashtu ka shum presion nga shefat qe mos te flasim dhe te rrim urt. Un po e bej kete denoncim sepse nuk esht normale kjo qe po ndodh dhe duhet me u mar masa. Ju lutem verifikoni kete rast.”
Ky denoncim, nëse provohet i vërtetë, e thellon edhe më shumë krizën rreth kompanisë dhe ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si operon subjekti në treg.
Përgjegjësia për këtë situatë të rëndë bie jo vetëm mbi subjektin privat, por edhe mbi institucionet shtetërore. Ministria e Bujqësisë dhe AKU, të drejtuara nga Anila Denaj dhe Manush Kullolli, përballen me akuza për neglizhencë dhe mungesë kontrolli, ndërsa qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze për shëndetin.
Ndërkohë, raportimet tregojnë se pas shpërthimit të skandalit, inspektorët e AKU kanë tentuar të tërheqin produktin nga tregu, por janë përballur me refuzim nga ana e subjektit, i cili nuk ka vënë në dispozicion faturat e shpërndarjes.
Ky nuk është më një rast i izoluar, por një model alarmant që ngre dyshime serioze mbi lidhjet mes biznesit dhe institucioneve, duke vënë në pikëpyetje sigurinë ushqimore dhe besimin e qytetarëve tek shteti.















