Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë projektligjin për çmimet tavan gjatë një seance të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje. Opozita e ka kundërshtuar këtë procedurë të përshpejtuar. Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, theksoi rëndësinë e projektligjit për qytetarët dhe nevojën për kontributin e deputetëve. Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shprehu kundërshtimin ndaj shmangies nga procedurat standarde, duke kërkuar shpjegime për urgjencën e shqyrtimit të ligjeve të tilla. Jehona Lushaku – Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) akuzoi qeverinë për përshpejtimin e procedurave për motive elektorale.
Projektligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore u miratua me 63 vota për, vetëm nga deputetët e Vetëvendosjes. Ministri i Financave, Hekuran Murati, e prezantoi projektligjin, duke shpjeguar se synohet mbrojtja e konsumatorëve në rast të destabilizimit të tregut. Ai sqaroi se projektligji krijon Bordin e Pavarur për rregullimin e çmimeve, i cili emërohet nga Kuvendi dhe raporton te ai.
Ky projektligj kishte qenë kthyer nga Gjykata Kushtetuese për shkak të disa nenëve në kundërshtim me kushtetutën, duke shkaktuar kritika të ashpra nga opozita. Arben Mustafa nga PDK shprehu shqetësimin se ligji do të pengojë funksionimin e tregut të lirë, ndërsa Hykmete Bajrami nga LDK e akuzoi qeverinë për veprime që sinjalizojnë zgjedhje të reja. Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vuri në dukje se autoriteti mbikëqyrës i parashikuar në projektligj është politik.
Parlamenti vendosi që deri më 20 prill komisionet parlamentare të shqyrtojnë ligjin në lexim të dytë. Po ashtu, në seancën e jashtëzakonshme u miratuan edhe disa projektligje të tjera, përfshirë atë për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe ndryshime në ligjin për kontabilitetin. Seanca vazhdon.















