Dy turistë belgë kanë mbetur të bllokuar për më shumë se katër orë në Qafën e Valbonës, gjatë udhëtimit nga Thethi drejt Valbonës. Terreni i vështirë dhe kushtet e rënda, të karakterizuara nga akulli dhe dëbora, e kanë bërë lëvizjen e tyre të pamundur, duke kërkuar ndërhyrjen e ekipeve të kërkim-shpëtimit.
Në operacionin e shpëtimit kanë marrë pjesë banorët e zonës, Sajmir Kalbaj dhe Gaz Selimaj, si dhe dy punonjës të Policisë së Shtetit. Ata arritën të lokalizojnë dhe asistojnë turistët, të cilët janë nxjerrë nga zona e rrezikut dhe aktualisht ndodhen jashtë çdo rreziku për jetën, duke mbërritur në Valbonë.
Sipas burimeve nga terreni, kushtet në zonë vazhdojnë të jenë të vështira për shkak të pranisë së akullit dhe dëborës, duke e bërë qafën veçanërisht të rrezikshme për lëvizje.















