Kandidati francez i ekstremit të djathtë, Jordan Bardella, ka hyrë në një lidhje me princeshën italiane Maria-Caroline, sipas revistës Paris Match, e cila publikoi foto të çiftit gjatë pushimeve në Korsikë. Revista e përshkruan këtë marrëdhënie si një “romancë që askush nuk e priste” dhe konfirmon thashethemet që kishin filluar pas paraqitjes së tyre së bashku në Paris për 200-vjetorin e gazetës Le Figaro.
Çifti përfaqëson një kontrast social dhe kulturor të dukshëm; Bardella vjen nga një familje punëtore, ndërsa Maria-Caroline ka një prejardhje aristokratike, duke u rritur në qytete si Paris, Romë dhe Monaco. Sipas artikullit, ata dyshohet se janë takuar për herë të parë në Monako gjatë Çmimit të Madh të Formula 1 vitin e kaluar.
Jordan Bardella ka theksuar se jeta e tij private është “hapësira e tij e fundit e lirisë” dhe ka shmangur komentet mbi marrëdhënien e tij. Pas publikimit të lajmit, analistët politikë sugjerojnë se ky zhvillim mund të ndikojë në imazhin e tij gjatë fushatës zgjedhore.
Maria-Caroline, 22 vjeçare, është vajza e Princit Carlo dhe pjesë e familjes së Burbonëve të Dy Sicilive, një dinasti historike që sundonte Italinë jugore në shekullin XIX. Ajo është aktive në aktivitete kulturore dhe bamirëse dhe ka një prani të dukshme në rrjetet sociale.















