Gabriele Gravina ka dhënë dorëheqjen si president i Federatës Italiane të Futbollit, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja më 22 qershor. Në një dokument që ka përgatitur vetë, ai ka analizuar situatën e vështirë në sistemin e futbollit italian dhe ka identifikuar disa probleme kryesore.
Fillimisht, Gravina evidenton se po ka një numër të ulët lojtarësh italianë dhe të rinj në skuadrat. Sipas tij, investimet në sektorin e të rinjve janë të pamjaftueshme dhe sistemi ekonomik i futbollit është i papërballueshëm. Një tjetër problem është hendeku infrastrukturor, që ndikon në zhvillimin e sportit. Ai kritikon gjithashtu paaftësinë për të krijuar një sistem funksional që mund të përmirësojë situatën.
Për të adresuar këto probleme, Gravina propozon disa zgjidhje. Së pari, ai sugjeron që futbolli të marrë një përqindje nga të ardhurat nga bastet dhe heqjen e ligjit që ndalon reklamimin e operatorëve të basteve. Ai gjithashtu rekomandon rikthimin e Dekretit të Rritjes, i cili do t’i ndihmojë klubet të jenë më konkurruese në blerjen e lojtarëve nga jashtë.
Gravina e sheh të nevojshme mbështetje për ndërtimin e stadiumeve të reja dhe modernizimin e impianteve ekzistuese, sidomos me synimin për Euro 2032. Ai thekson që reformimi i sistemit arbitrar dhe i kampionateve është po ashtu i domosdoshëm, pavarësisht pengesave të tanishme që lidhen me marrëveshjet mes anëtarëve.
Në përfundim të relacionit, Gravina bën një apel për bashkëpunim të gjithanshëm. Ai thekson se për të mirën e futbollit italian, është e nevojshme që të gjitha palët të veprojnë në mënyrë radikale, duke kërkuar mbështetje nga qeveria dhe parlamenti. Sipas tij, nëse nuk ekziston një vullnet unanim dhe një angazhim për të vendosur interesin e përbashkët mbi ambiciet personale, nuk do të ketë një ringritje të vërtetë të futbollit italian.















