NASA ka publikuar fotografitë e para të realizuara nga astronautët e misionit Artemis II gjatë fluturimit të tyre pranë Hënës. Një nga imazhet ikonike paraqet “lindjen e Tokës”, me planetin tonë që shfaqet mbi horizontin hënor, duke krijuar një kontrast të fortë me peizazhin e ashpër të Hënës. Një foto tjetër ilustron një eklips diellor spektakolar, në të cilin Hëna bllokon Diellin.
Megjithatë, NASA nuk ka shpallur emrat e astronautëve që realizuan këto fotografi, ndërsa ekuipazhi është në udhëtim për në shtëpi pas fluturimit pranë Hënës. Pamja e “lindjes së Tokës” sjell në vëmendje fotografinë “Earthrise” nga misioni Apollo 8 në vitin 1968, që e shndërroi planetin e jonë në një simbol të brishtësi së tij në hapësirë.
Gjatë një fluturimi gjashtëorësh, astronautët përjetuan një periudhë heshtjeje gjatë kalimit të tyre pas Hënës, ku përfituan nga mundësia për të kapur një pamje të qartë të planetit. Sipas përshkrimit të NASA-s, fotografia e “lindjes së Tokës” u realizua nga dritarja e anijes kozmike Orion, duke treguar se “pjesa e errët e Tokës po përjeton natën”, ndërsa anija i shihte re të dukshme mbi Australinë dhe Oqeaninë.
Një nga momentet më emocionuese për ekuipazhin ishte vëzhgimi i eklipsit diellor, ku astronautët patën mundësinë të shijonin rreth 54 minuta të fazës së plotë, ndryshe nga toka, ku eklipset zgjasin pak minuta. Në këtë pamje, planeti Venus dallohej si një pikë e ndritshme. Astronauti Victor Glover e përshkroi këtë përvojë si “fantastike shkencore” dhe “joreale”.
Edhe pse imazhe të anës së errët të Hënës janë regjistruar nga satelitë, NASA thekson se përvoja e drejtpërdrejtë e astronautëve mbetet e paçmueshme. Ekuipazhi ka regjistruar gjithashtu përshkrime audio të vëzhgimeve të tyre, të cilat do të analizohen për të nxjerrë të dhëna të reja. Një tjetër imazh tregon rikthimin e Tokës në horizontin e astronautëve pas kalimit të Hënës, duke ofruar një pamje mbresëlënëse të planetit tonë nga hapësira.















