Pak ditë më parë, autoritetet amerikane arrestuan Hamideh Soleimani Afshar, mbesën e Qasem Soleimani, dhe vajzën e saj, Sarinasadat Hosseiny, si rezultat i akuzave për lidhje me regjimin iranian dhe propagandë antiamerikane. Departamenti i Shtetit amerikan njoftoi se ato kishin promovuar ideologjinë e Iranit dhe kishin mbështetur struktura të cilat përmenden si terroriste.
Sipas zyrtarëve, Afshar ka shprehur mbështetje për sulmet ndaj ushtarëve amerikanë në Lindjen e Mesme dhe e ka cilësuar Amerikën si “Satani i Madh.” Ajo hyri në SHBA në vitin 2015 me vizë turistike, mori azil në vitin 2019 dhe siguroi “Green Card” në vitin 2021, ndërsa vajza e saj u pajis me dokumentet e qëndrimit në vitin 2023. Megjithatë, autoritetet theksojnë se Afshar ka udhëtuar disa herë në Iran pas marrjes së lejes së përhershme të qëndrimit.
Jeta e tyre në SHBA duket e kundërt me qëndrim politik. Afshar jetonte në Los Angeles, ku e promovonte një stil të jetesës luksoz në rrjetet sociale, duke treguar makina të shtrenjta dhe markat e njohura. Po ashtu, vajza e saj kishte një profil aktiv në të cilin publikonte foto nga pushimet dhe udhëtimet në vende si Miami dhe Las Vegas.
Arrestimi i tyre u realizua nga agjentët e emigracionit, me autoritetet që theksojnë se mbajtja e “Green Card” është një privilegj që mund të hiqet në rast se individi përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Sekretari i Shtetit Marco Rubio njoftoi se SHBA nuk do të lejojë që territori i saj të shërbejë si strehë për mbështetës të regjimeve armiqësore.
Kjo ngjarje rikujton vrasjen e Qasem Soleimani në vitin 2020, një veprim i udhëhequr nga Donald Trump që intensifikoi tensionet mes SHBA-së dhe Iranit.















