Një ngjarje tragjike ka tronditur New York City, kur një foshnjë 7-muajshe ka humbur jetën nga një plumb “qorr” ndërsa ndodhej në karrocën e saj. Incidenti ndodhi në një dyqan ushqimesh në Brooklyn, ku nëna, Liana Charles Moore, ishte me partnerin dhe dy fëmijët e saj të vegjël.
Fillimisht, familja mendoi se zhurmat që dëgjonin ishin fishekzjarre. Situata u përkeqësua drastikisht kur plumbat thyen xhamat e dyqanit dhe Liana pa vajzën e saj, Kaori, të qëlluar në kokë. Nëna shpërtheu në britma dhe përpiqej ta mbante, por plagët ishin fatale. Foshnja u dërgua urgjentisht në spital, ku mjekët konfirmuan vdekjen e saj. Vëllai dyvjeçar i saj gjithashtu u plagos lehtë dhe u transportua për trajtim.
Në një deklaratë për New York Post, Liana, e shkatërruar nga ngjarja, rrëfeu momentet e tmerrit. Ajo tregoi se fillimisht kishte përqafuar djalin e saj dhe më pas kishte parë vajzën e saj pa jetë. E përshkroi fëmijën si të pafajshëm, duke theksuar se kohët e fundit kishte filluar të shqiptonte fjalën “mama”.
Policia ka arrestuar një shtetas në lidhje me të shtënat dhe është në kërkim të një të dyti. Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se dyshuarit patën një aksident me motoçikletë pak blloqe larg vendit të ngjarjes, pasi u përplasën me një automjet që vinte nga drejtimi i kundërt.
Ky incident ka ngjallur reagime të fuqishme në opinionin publik, ndërsa nëna e viktimës kërkon drejtësi për vajzën e saj. Ajo thekson se familja e saj u gjend rastësisht në vendin e gabuar në një moment kaq tragjik. Ngjarja shfaq pasojat e dhunës me armë dhe sfidat që përballen banorët në lagjet e qytetit, duke ngjallur një debat të gjërë mbi sigurinë publike.















