Mëngjesin e së premtes, rajoni i Epirit, pranë kufirit greko-shqiptar, u godit nga katër tërmete, dy prej tyre me magnitudë mbi 4,5 Rihter brenda një harku të shkurtër kohor. Lëkundjet u ndjenë me intensitet në Agia Kyriaki në Janinë dhe në Filat të Thesprotisë. Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, lëkundja më e fortë arriti në 4,6 Rihter, me thellësi rreth 20 kilometra. Pasi ndodhi tërmeti kryesor, një tjetër lëkundje prej 4,5 Rihter pasoi në të njëjtën zonë, duke dëshmuar aktivitetin sizmik të rritur.
Korrespondenti i Top Channel, Aleksandër Marku, raporton se rajoni ka përjetuar një sërë pasgoditjesh, përfshirë disa tërmete më të vogla, mes të cilëve 3,9 dhe 3,3 Rihter në afërsi të Leptokarias dhe Filatit. Gjatë natës, janë regjistruar të tjera lëkundje që variojnë nga 3,3 deri në 3,7 Rihter. Deri tani, nuk raportohet për dëme serioze, por dhjetëra dridhje me thellësi të vogël kanë rritur ankthin mes banorëve. Autoritetet shkencore vijojnë të monitorojnë situatën.
Kjo valë sizmike vjen pas një tërmeti të fortë më 8 mars, i cili shkaktoi dëme dhe çoi në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në bashkitë e Janinës, Dodonës dhe Sulit. Aktiviteti sizmik i vazhdueshëm në këtë zonë tregon se stabilizimi i shtresave të tokës ende nuk është arritur. Qytetarët janë këshilluar të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e Mbrojtjes Civile, ndërsa monitorimi i fenomenit vazhdon nga institucionet përkatëse.















