Investigim nga Timoni.al
Në pamje të parë, procedura për ndërtimin e rrugës së arbërit duket formalisht e rregullt. Dokumentet tregojnë një kompani fituese, kontratë të lidhur dhe një seri nënkontratash për realizimin e punimeve. Por kur analizohen më thellë lidhjet mes personave dhe kompanive të përfshira, tabloja bëhet shumë më e dyshimtë dhe ngre pikëpyetje serioze për korrupsion dhe konflikt interesi.
Të gjithë në Shqipëri e dinë se projekti në fakt është realizuar nga kompania Gjoka Construction, në pronësi të biznesmenit Rrok Gjoka. Megjithatë, në dokumentet zyrtare të kontratës nuk figuron kjo kompani dhe as vetë Gjoka si titullar i kontratës.
Fituesi formal i procedurës për ndërtimin e rrugës së arbërit rezulton të jetë Erind Gjoka, me një kompani të krijuar rishtazi. Ky fakt është thelbësor për të kuptuar skemën: Erind Gjoka është djali i Rrok Gjokës. Pra kontrata publike nuk i jepet kompanisë së njohur që realisht kryen punimet, por një firme të re, të lidhur familjarisht me të.
Menjëherë pas marrjes së tenderit ndodh një veprim tjetër: kompania e Erind Gjokës nënkontrakton pikërisht Gjoka Construction për realizimin e rrugës. Më pas, kjo kompani vazhdon zinxhirin e nënkontraktimeve duke ua kaluar punimet firmave të tjera.
Në sipërfaqe, kjo mund të duket një praktikë e zakonshme në sektorin e ndërtimit. Por pyetja kryesore mbetet: pse një projekt kaq i madh nuk iu dha direkt Gjoka Construction, por një firme të sapokrijuar pa eksperiencë?
Për ta kuptuar këtë duhet parë edhe kapaciteti real i kompanisë deri në momentin kur mori këtë projekt. Deri atëherë, Gjoka Construction konsiderohej një kompani relativisht e vogël. Aseti kryesor i saj ishte një hidrocentral në zonën e Bulqizë, i realizuar në partneritet me një ortak tjetër. Pra kapacitetet financiare dhe teknike për një koncesion të madh infrastrukture ishin të diskutueshme.
Por kompania e re e Erind Gjokës kishte një “avantazh” tjetër: lidhjet familjare. Ai është dhëndri i biznesmenit Gazmend Demi, një figurë e njohur në biznesin shqiptar dhe me lidhje të forta politike. Sipas burimeve dhe dyshimeve që qarkullojnë prej vitesh në sektorin e ndërtimit, tenderi dyshohet se është kontrolluar nga një rreth interesash ku përmendet edhe emri i Olsi Rama.
Sipas këtyre pretendimeve, struktura e kontratës u ndërtua pikërisht për të krijuar një filtër besimi: jo direkt tek Rrok Gjoka, por tek dhëndri i familjes së lidhur me qendrën e pushtetit.
Me kalimin e kohës, Rrok Gjoka fitoi besimin e këtij rrethi dhe u shndërrua në një nga kontraktorët e mëdhenj të projekteve publike. Në një rast tjetër, sipas burimeve të sektorit, për një tender të diskutueshëm u shkarkuan edhe drejtues të institucioneve si Komisioni i Prokurimit Publik dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, pasi procedura nuk po ecte sipas interesave të caktuara.
Por ndoshta prova më e fortë që hedh dyshime mbi gjithë këtë procedurë është kronologjia e punimeve. Një kërkim i thjeshtë në burime publike dhe në internet tregon se punimet në terren kanë nisur para lidhjes së kontratës, madje në disa raste edhe para dhënies së lejes së ndërtimit për rrugën.
Kjo do të thotë se praktikisht rruga është ndërtuar fillimisht dhe më pas janë ndjekur procedurat formale për ta legalizuar projektin.
Problemet nuk ndalen këtu. Sipas ekspertëve lokalë dhe banorëve të zonës, rruga është ndërtuar shpesh pa respektuar standardet dhe projektin teknik. Në disa segmente trasa është devijuar, në të tjera urat janë shkurtuar për të ulur kostot. Madje ka raste ku rruga është zhvendosur qëllimisht për të favorizuar ndërtimin e resorteve private përgjatë saj.
Në disa prej këtyre rasteve janë ndërtuar objekte pa leje, madje edhe në toka me kategori kadastrale “lum”. Më pas, këto objekte janë legalizuar në kundërshtim me rregullat, pasi sipas ligjit ndërtimet në tokë me këtë kategori nuk mund të legalizohen.
Skema përsëritet edhe në projekte të tjera infrastrukturore, si segmenti rrugor Melan–Peshkopi. Edhe aty, sipas burimeve të sektorit, projekti është hartuar nga kompania e Gjokës, tenderi është fituar nga e njëjta kompani dhe punimet janë kaluar më pas tek nënkontraktorë të ndryshëm.
Në fund të zinxhirit, kompania kryesore del me miliona euro fitim pa realizuar drejtpërdrejt pjesën më të madhe të punimeve, ndërsa paratë publike shpërndahen në një rrjet kontratash dhe nënkontratash.
Kjo histori tregon qartë një model që është bërë i zakonshëm në Shqipëri: tenderë publikë të mëdhenj që kalojnë përmes kompanive të ndërmjetme, lidhjeve familjare dhe nënkontraktimeve të shumta, duke krijuar një sistem ku përfitimi real nuk lidhet me aftësinë për të ndërtuar, por me afërsinë me pushtetin.
Dhe kështu, milionat e buxhetit publik përfundojnë në duart e pak njerëzve, ndërsa infrastruktura ndërtohet pa standarde dhe pa transparencë.















