Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste (PS) do të mblidhet ditën e hënë në orën 10:00 për të diskutuar një nga çështjet më të kontestuara brenda partisë. Sipas burimeve, në këtë mbledhje pritet të lexohen dy raporte, përfshirë një nga pesë anëtarët socialistë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, lidhur me kërkesën e SPAK për lëshim autorizimi për arrestimin e ish-zëvendës kryeministres Belinda Balluku. Raporti ka për autor Ulsi Manjën.
Kryesocialisti Edi Rama do të mbajë një fjalim në këtë mbledhje për të shprehur qëndrimin e tij politik në lidhje me kërkesën e SPAK. Deputetët janë njoftuar nga kreu i grupit, Taulant Balla, për një pjesëmarrje të detyrueshme në këtë takim.
Përveç mbledhjes së grupit, raportet e opozitës dhe shumicës pritet të lexohen dhe shqyrtohen në seancën parlamentare të së enjtes, më 12 mars. Po ashtu, burime nga shumica socialiste sugjerojnë mundësinë që Belinda Balluku të mbajë një fjalim gjatë kësaj seance parlamentare, për të shpalosur versionin e saj mbi kërkesën e prokurorëve të SPAK që u publikua më 16 dhjetor të vitit të kaluar.
Kjo çështje ka shkaktuar tensione të ndjeshme brenda PS-së dhe pritet të jetë një nga fokuset kryesore të diskutimeve në ditët në vijim. Kjo situatë, sidomos për sa i përket rolit të Ballukut, ka ngritur pikëpyetje lidhur me vendimmarrjen e partisë dhe pozita e saj brenda qeverisë.















