Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka akuzuar autoritetet hungareze për marrjen peng të shtatë shtetasve ukrainas në Budapest. Sipas Sybiha, ata janë punonjës të bankës shtetërore Oschadbank dhe ishin në procesin e transportimit të rreth 80 milionë dollarëve dhe sendeve me vlerë nga Austria drejt Ukrainës.
Në një postim në rrjetet sociale, ai theksoi se ende nuk janë bërë të ditura arsyet e ndalimit, ndërsa gjendja e punonjësve mbetet e paqartë. Banka Oschadbank e konfirmoi ndalimin e punonjësve të saj si pa arsye dhe njoftoi se të dhënat GPS tregojnë se mjetet ndodhen aktualisht në Budapest. Në ato automjete ndodheshin 40 milionë dollarë, 35 milionë euro dhe 9 kilogramë ar. Oschadbank kërkoi lirimin e menjëhershëm të punonjësve dhe kthimin e pasurisë në Ukrainë.
Ministri ukrainas e quajti këtë incident “terrorizëm shtetëror dhe zhvatje”, duke akuzuar Hungarinë për marrje peng dhe grabitje të shumave të mëdha të parave. Tensionet mes dy vendeve kanë qenë të pranishme edhe për shkak të krizës së energjisë dhe ndihmës për Ukrainën. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi kryeministrin hungarez Viktor Orbán për bllokimin e një pakete ndihme europiane për Kievin.
Nga ana tjetër, Orbán e akuzon atë se po bllokon furnizimin me naftë për Hungarinë përmes tubacionit Druzhba, i cili është rruga kryesore për transportimin e naftës ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë. Ukraina, për kam, tha se tubacioni është dëmtuar nga sulmet ruse dhe ekipet e riparimit janë goditur sërish gjatë punimeve.
Ky incident vjen në një kontekst të tensionuar marrëdhëniesh, ku akuzat dhe dyshimet priten që të rrisin përplasjet mes palëve.















