Shkoi në gjykatë për pretendime mbi pagesat, por moderatori Florian Agalliun përfundon tashmë në rolin e të paditurit. Shkak është bërë, sipas RTSH, mashtrimi i paraqitur nga moderatori në procesin gjyqësor kundër institucionit publik.
Agalliu i ka deklaruar gjykatës se ka qenë punonjës i Televizionit Publik dhe se nuk ka marrë pagat përkatëse, ndërkohë që, sipas dokumentacionit zyrtar, ai nuk rezulton të ketë qenë asnjëherë punonjës me pagë fikse i RTSH-së. Marrëdhënia e tij me institucionin ka qenë kontraktuale, si përfitues i një projekti të jashtëm me afat të përcaktuar, konkretisht si moderator i një emisioni të mëngjesit.
Siç evidentohet edhe në dokumentet që redaksia jonë disponon, Agalliu ka paraqitur në gjykatë një status juridik të pasaktë të marrëdhënies së tij me RTSH-në, duke e paraqitur një marrëdhënie honorari si marrëdhënie punësimi të rregullt. Po ashtu, z. Agalliu vazhdon të paguhet rregullisht çdo muaj nga RTSH, gjë që ai nuk e ka deklaruar në gjykatë, çka përbën, sipas institucionit, mashtrim në një proces gjyqësor të nisur për zgjidhjen e konfliktit me Televizionin Publik.
Kjo ka mjaftuar që RTSH të ngrejë padi ndaj ish-moderatorit për mashtrim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Kërkesë-padisë tashmë i është dhënë rrugë dhe verifikimet për rastin kanë nisur.
Në kërkesë-padi, RTSH kërkon gjithashtu pezullimin dhe pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv të vendimit të datës 28.01.2026 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Po ashtu, i pavërtetë rezulton të jetë edhe pretendimi se Agalliu nuk është paguar. RTSH mësohet është duke shlyer detyrimet financiare në formën e honorareve, jo vetëm për Agalliun, por edhe për anëtarët e tjerë të projekteve. Pagesat janë kryer periodikisht dhe honorarët janë duke u dhënë për punën e realizuar. Nuk bëhet fjalë për rroga mujore të papaguara, pasi një marrëdhënie e tillë punësimi nuk ka ekzistuar.
Projekti për të cilin ishte angazhuar z. Agalliu kishte afat të përcaktuar dhe, pas përfundimit të tij, pagesat e honorareve janë realizuar sipas praktikës financiare të institucionit.
Bazuar në këto fakte, RTSH pretendon se gjykata është vënë në dijeni të informacionit të pasaktë, duke u paraqitur një marrëdhënie honorari si marrëdhënie punësimi me pagë fikse. Në kërkesë-padi, institucioni e cilëson rastin si flagrant, për mënyrën se si, sipas tij, është manipuluar procesi gjyqësor, dhe synon pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv.
Një tjetër mashtrim në gjykatë sipas dokumentacionit është deklarata e Agalliut se aktualisht është i papunë. Ky një mashtrim publik pasi Agalliu është punonjës në Televizionin Vizion +, e vërtetuar nga daljet e përditshme në ekran.
Ndërkohë, RTSH ndodhet në një proces të gjerë verifikimi dhe auditi të brendshëm mbi dhënien e projekteve të firmosura gjatë një periudhe tranzicioni në institucionin publik.
Deri më tani janë evidentuar abuzime të shumta, përfshirë raste të dyshuara të projekteve fiktive, ku janë përdorur emra të personave të tretë në role të ndryshme, si skenaristë apo regjisorë, pa pasur këta persona lidhje reale me pozicionet e shënuara në dokumentacionin e projekteve. Sipas verifikimeve, këta emra dyshohet se janë përdorur për të rritur në mënyrë fiktive faturimet dhe vlerën e projekteve.
Sipas burimeve të brendshme në RTSH, po përgatiten padi për të gjithë ata që vazhdojnë të mashtrojnë duke pretenduar se nuk po marrin honoraret e tyre.















