Në datën 19 shkurt, një ngjarje tragjike ndodhi në maternitetin e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku një foshnjë e porsalindur humbi jetën. Rasti u denoncua nga nëna një javë më vonë, duke bërë që Prokuroria të nisë një hetim për neglizhencë mjekësore ndaj mjekut që ndoqi lindjen.
Sipas burimeve të Top Channel, mjeku I. Shkreli, 43 vjeç, ishte në shërbim natën kur nëna u paraqit në maternitet. Gjatë një pritjeje prej gjashtë orësh, fetusi tregoi dy episode të prishjes së rrahjeve të zemrës, të cilat dyshohet se nuk u vlerësuan siç duhet nga mjeku. Për pasojë, nëna nuk u fut në sallë për një ndërhyrje cezariane, duke e lënë atë të lindë natyralisht.
Foshnja, i cili ishte djalë dhe kishte një peshë prej 3500 gramësh, lindi në gjendje asfiksie dhe me ujëra të ndotura. Në fillim, nuk shfaqi shenja jete dhe reagoi vetëm pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, i cili e vendosi në një aparat (CPAP) për ndihmën e frymëmarrjes për shkak të mungesës së oksigjenit. Megjithatë, përpjekjet e stafit nuk ishin të mjaftueshme dhe foshnja humbi jetën 3-4 orë pas lindjes, duke e bërë të pamundur edhe transportin në Tiranë për ndihmë të specializuar.
Pas kallëzimit të bërë nga nëna e foshnjës, Prokuroria nisi procedimin penal ndaj mjekut për neglizhencë. Po ashtu, Drejtoria e spitalit të Durrësit ka ngritur një komision për të kryer një oponencë klinike të kartelës mjekësore për të analizuar rastin. Hetimet janë në vazhdim dhe pritet të sjellin më shumë informacione mbi këtë ngjarje tragjike.















