Bllokimi i aksit Librazhd-Përrenjas ka shkaktuar një situatë të rëndë për dhjetëra kamionë që kanë mbetur bllokuar në pikën e kalimit kufitar Qafë-Thanë. Kjo ka sjellë vështirësi për drejtuesit e kamionëve, që kanë ndaluar për ditë të tëra në pritje të zgjidhjes së situatës. Pavarësisht përpjekjeve, ata nuk kanë mundur të arrijnë në Tiranë, dhe rruga alternative përmes Maqedonisë së Veriut kërkon një marrëveshje mes dy vendeve fqinjë, si dhe procedura dhe kosto shtesë.
Drejtuesit e kamionëve njoftojnë se po përballen me probleme të mëdha. Njëri prej tyre tha: “U bë kaq kohë presim, kemi që nga e diela këtu. Koha është e ftohtë. Duhet të hapet rruga që të çojmë ngarkesën. Po na mbaron ushqimi dhe uji.” Situata është bërë edhe më alarmante për ata që kanë familje, me disa prej tyre duke shprehur shqetësimin se ushtimi dhe uji po mbarojnë shpejt.
Një tjetër kamionist tregoi se ka një fëmijë dy vjeç dhe është në pritje që situata të zgjidhet. Ai tha: “Na vjen keq por kemi familje. Rrimë shtrirë brenda në kamion, por nafta po na mbaron. Duhet të ikim për të marrë naftë.”
Bllokimi nuk ndikoi vetëm në transportin e mallrave, por edhe në transportin e udhëtarëve. Operatorët e transporteve kanë rritur çmimin e biletave, duke argumentuar se devijimet në rrugë më të gjata dhe koha shtesë e udhëtimit kanë rritur kostot operative. Pjesa më e madhe e udhëtarëve po përballen me tarifa më të larta, gjë që e vështirëson situatën për ata që udhëtojnë.
Nuk dihet se kur pritet të zgjidhet situata dhe të hapen rrugët, ndërsa kamionistët dhe udhëtarët gjithashtu shpresojnë në një zgjidhje të shpejtë për t’i rikthyer normalitetit.















