Gjykata Themelore e Pejës ka shpallur një aktgjykim lirues për xhudistin Akil Gjakova, duke e liruar nga akuza për dhunë në familje. Akuza ishte ngritur më 14 dhjetor 2024, ku Gjakova akuzohej se kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.
Në vendimin e saj, gjykata e liroi Gjakovën nga aktakuza për veprën penale “Dhuna në familje”, sipas nenit 248, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas shqyrtimit gjyqësor, vendimi u bazua në nenin 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Gjykata përcaktoi gjithashtu që shpenzimet e procedurës penale do të mbulohen nga buxheti i saj, ndërsa e dëmtuara, S.M., është udhëzuar të realizojë kërkesën pasurore-juridike përmes një procedure kontestimore civile.
Arsyetimi i aktgjykimit do të publikohet në një dokument të shkruar, dhe palët kanë të drejtë të apelojnë këtë vendim brenda tridhjetë ditëve pas pranimit të aktgjykimit, duke e drejtuar ankesën në Gjykatën e Apelit përmes gjykatës së Pejës.















