Washingtoni po shqyrton mundësinë e reduktimit të pranisë së saj në KFOR-in në Kosovë, një lëvizje që ka alarmuar diplomatët perëndimorë. Katër prej tyre, të cituar nga POLITICO, e përshkruajnë këtë si “kthim në gjendjen fillestare” të rolit amerikan brenda NATO-s.
Administrata Trump, sipas raporteve, ka ndërmend të zvogëlojë angazhimet ushtarake jashtë vendit, duke përfshirë edhe kontributin në Kosovë. Ky veprim kuptohet në kuadër të një strategjie më të gjerë për t’i kthyer NATO-s një pakt të ngushtë euroatlantik të mbrojtjes kolektive, duke u distancuar nga misionet e menaxhimit të krizave dhe partneritetet globale që e kanë shoqëruar organizatën në dekadat e fundit.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar këto informacione, por burimet diplomatike konfirmojnë se diskutimet janë në fazë të hershme dhe i kanë shkaktuar shqetësim të thellë aleatëve europianë. Misioni i KFOR, i autorizuar nga OKB-ja dhe i vendosur në vitin 1999 pas luftërave jugosllave, numëron rreth 4,500 trupa. Sipas analistëve, prania e tij është një faktor kyç për stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se çdo tërheqje e parakohshme e KFOR-it mund të ndihmojë në forcimin e elementëve radikalë në veri të Kosovës dhe të krijojë tensione të reja, përfshirë situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.
Një diplomat i lartë i NATO-s shprehet se janë “mjaft të shqetësuar për situatën”, theksoi se “në Ballkanin Perëndimor, përshkallëzimi mund të ndodhë shumë shpejt.” Kjo deklaratë tregon qartë rrezikun e mundshëm që lidhet me një ndryshim në strategjinë ushtarake amerikane në rajon, veçanërisht në një kohë kur stabiliteti është i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë e përgjithshme.















