Një formacion gjeologjik nënujor pranë Gadishulli Jukatan, i quajtur vrima blu Taam Ja’, po përballet me vëmendjen e studiuesve për shkak të thellësisë së tij të jashtëzakonshme. Me një thellësi të konfirmuar prej mbi 420 metrash, ai është tani më i thelli i njohur në botë, por kufiri i tij mbetet ende i paqartë.
Zbulimi i Taam Ja’ u bë rreth dy dekada më parë nga një zhytës vendas dhe është pothuajse i padukshëm nga sipërfaqja, çka e bën atë një atraksion misterioz. Matjet e para në vitin 2021 e vlerësuan thellësinë në rreth 275 metra, por një ekspeditë më e fundit në vitin 2023 me pajisje të avancuara CTD tejkaloi këto tregues, duke zbuluar se gropa shkon të paktën në 420 metra dhe mund të jetë edhe më e thellë.
Të njohurat si “vrima blu” janë zgavra natyrore që formohen zakonisht në zona me shkëmbinj gëlqerorë, të cilat shpërbëhen me kalimin e kohës. Ato karakterizohen nga ujë i kufizuar dhe nivele shumë të ulta oksigjeni, duke krijuar kushte ideale vetëm për jetën mikrobike.
Një formacion tjetër i njohur, Vrima e Madhe Blu në Belize, është eksploruar edhe nga emra të njohur si Richard Branson dhe Fabien Cousteau. Gjatë eksplorimit në vitin 2018, ata gjetën një shtresë sulfuri hidrogjeni dhe ujë të errët në thellësi, pa shenja jete. Po ashtu, u zbuluan mbetje njerëzore, përfshirë një shishe plastike dhe një kamerë të humbur, që tregojnë për rreziqet e zhytjes.
Sipas Branson, këto formacione janë pjesë e një sistemi shpellash që u krijuan kur ky rajon ishte tokë, duke ilustruar rritjen e shpejtë të nivelit të detit në të kaluarën. Ai theksoi se rreth 10 mijë vjet më parë, niveli global i detit u rrit rreth 300 metra për shkak të shkrirjes masive të akullnajave, duke lënë gjurmë në këto formacione.
Megjithatë, pavarësisht përparimeve teknologjike, Taam Ja’ mbetet një mister shkencor. Ekspertët ende nuk janë të sigurt nëse 420 metrat e matur janë fundi i saj apo vetëm një hyrje drejt thellësive edhe më të thella.















