Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audio-visive (AMA), Armela Krasniqi, ka realizuar një vizitë dyditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shoqëruar nga Sekretarja e Përgjithshme, Romelda Rrapollari. Ajo është pritur në Departamentin e Shtetit nga zyrtarë të lartë, përfshirë John W. Robbins dhe Michael Marble, me të cilët diskutoi për transparencën e pronësisë së medias dhe integrimin e legjislacionit europian në normat shqiptare.
Temat e tjera të diskutimit përfshinë rregullimin e Platformave të Shpërndarjes së Videove dhe sfidat e ngjashme. Krasniqi e theksoi rëndësinë e adresimit të problemeve si dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes, duke u angazhuar për ruajtjen e integritetit të informacionit në Shqipëri. Ajo nënvizoi se AMA tashmë është një kontribuese e politikave për lirinë e medias, jo vetëm një përfitues.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Krasniqi mori pjesë në ceremoninë e zgjedhjes së presidentit të ri të “The National Press Club”, organizata më e rëndësishme mediatike në SHBA, ku u takua me figura të njohura të medias. Mark Schoeff Jr, presidenti i sapozgjedhur, shprehu mbështetje për gazetarët shqiptarë, duke nënvizuar angazhimin e klubit në mbrojtjen e drejtave të tyre për të raportuar.
Po ashtu, Krasniqi vizitoi Universitetin John Hopkins, ku u takua me profesorin Edward P. Joseph dhe stafin e editorëve të një reviste shkencore. Bisedat u përqendruan në sfidat e tregut mediatik dhe ndikimin e teknologjisë. Kryetarja e AMA-s e informoi stafin rreth punës rregullatore dhe adaptimeve me ndryshimet digjitale në media.
Kjo vizitë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të AMA-s për të forcuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe për të avancuar studimet dhe projektet rregullatore në fushën e mediave. Kjo është vizita e dytë e Krasniqit në DASH pas asaj të vitit 2022.















