Java e 25 e Premier League u përmbyll me një ndeshje të fortë mes Liverpool dhe Manchester City në Anfield, ku skuadra e Pep Guardiolës arriti një fitore të rëndësishme me përmbysje, duke e mposhtur Liverpoolin 2-1. Kjo fitore e mban City-n në distancën prej 6 pikësh nga lideri Arsenal.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua nga një luftë e fortë, me Citizen-at që përpiqeshin të dominonin, por rezultatet mbetën të barabarta 0-0 në pushim. Situata ndryshoi në minutën e 74, kur Liverpool mori avantazhin me një gol të shënuar nga Szoboszlai me një goditje dënimi të realizuar në mënyrë perfekte.
Reagimi i Manchester City ishte i menjëhershëm. Në minutën e 84, Bernardo Silva barazoi rezultatin me një gol të rëndësishëm për ekipin e tij. Ndeshja mori një kthesë dramatike në minutën e 92, kur City fitoi një 11 metërsh pas një faulli të Alisson ndaj Matheus Nunes. Erling Haaland e shfrytëzoi mundësinë dhe çoi shifrat në 2-1.
Në sekondat e fundit të ndeshjes, Cherki i Liverpool ka pasur një goditje që do ta kishte çuar rezultatin në 3-1, por goli u anulua. Po ashtu, Szoboszlai përfundoi ndeshjen me karton të kuq për një faull të rrezikshëm si lojtari i fundit. Me këtë fitore, Manchester City arrin në 50 pikë, ndërsa Liverpool mbetet në 39 pikë, 5 pikë pas vendit të katërt, që mban Manchester United.
Ky rezultat forcon pozitat e City në luftën për titull, ndërsa Liverpoolin e lë në një situatë më të vështirë për të konkurruar në top katërshe.















